wrapper

Tiranë, 20. 06. 2018

Një buqetë poezish dhe esesh, të krijuara nga moshat e reja, vjen së shpejti në duart e lexuesve shqiptarë. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka nisur rrugën e botimit të një përmbledhjeje me krijimtarinë e moshave të reja, të cilat janë shpallur fituese ndër vite të një prej çmimeve të konkursit “Çmimi AIITC”, që prej 10 vitesh, nxit talentet e reja të provojnë veten në shkrime studimore, historike, kulturore e letrare. Ky konkurs ka si objektiv stimulimin e studiuesve dhe artistëve të rinj, brenda dhe jashtë territorit shqiptar, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të shquar në fushën e shkencës, artit e kulturës shqiptare dhe asaj islame në veçanti.

“E bukura në shpirt dhe në jetë”, është kjo tematika së cilës të rinjtë i janë referuar për të hedhur në letër ndjenjat e tyre të çastit, duke i thurur bukur në vargje e duke depërtuar thellë në shpirtin e çdo lexuesi, pasi kushdo mund ta gjejë veten në to, pa dallim moshe apo gjinie. Një krijimtari që përkëdhel, me ndjenjat që përcjell, por edhe godet në të njëjtën kohë, duke shpotitur veset e kësaj shoqërisë sonë “moderne”.

Në këto krijime të rinjtë kanë shkruar me çiltërsi shpirtërore, me një botë të pasur plot ndjenjë, me zërin e zemrës dhe të shpirtit, por edhe me një besim të palëkundur në Zot. Këto krijime përshkohen nga një optimizëm spontan, nga dëshira për ta jetuar jetën. Përdorimi i figurave letrare apo mungesa e rimës në vargje, përveç poezive tradicionale, e bëjnë edhe më tërheqëse këtë krijimtari.

Duke synuar mbështetjen e të rinjve, edhe përtej këtij konkursi, AIITC vendosi të marrë përsipër botimin e kësaj krijimtarie, për t′i dhënë hov këtij delli poetik, që në të ardhmen, pse jo, do të jetë pjesë e panteonit të artë të kulturës shqiptare. Në këtë përmbledhje krijimet e të rinjve janë të renditura sipas vitit në të cilin ato kanë fituar çmimin e konkursit të AIITC. Por pjesë e këtij libri janë edhe disa poezi të spikatura, të cilat, edhe pse nuk janë vlerësuar me çmim, kanë mbetur gjatë në memorien e lexuesit, por edhe të jurisë që e ka pasur mjaft të vështirë përzgjedhjen e krijimeve më të arrira.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2