wrapper

Instituti shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka futur në rrugën e botimit dy vëllime me poezi të historianit dhe shkrimtarit Ibrahim D. Hoxha, shkrimtari i shumë veprave poetike dhe historike, mes të cilave dallojnë enciklopeditë historike rreth çështjes kombëtare. Bëhet fjalë për librat “Dhe 100 vjet po të rroja” dhe “Vetëmohova djalërinë”, që do të pasurojnë bibliotekën e dashamirësve të poezisë në veçanti.

“Dhe 100 vjet po të rroja” është i treti vëllim në vargje i autorit. Duke qenë njohës dhe interpretues shumë i mirë i këngës dhe valles burimore çame, ai ka rritur të përcjellë në njëzet e një poezitë e këtij vëllimi shqetësimin, botën e trazuar shpirtërore dhe ndjeshmërinë e një poeti. Me tematikën dhe larminë e gjerë të tyre, këto poezi sjellin jo vetëm historinë dhe figurat historike të Shqipërisë dhe Çamërisë, por edhe shqetësimin qytetar të autorit për tranzicionin absurd shqiptar, duke stigmatizuar politikën dhe politikanët tanë.

Ndërsa vëllimi poetik “Vetëmohova djalërinë”, i botuar për herë të parë në vitin 2014, vjen i ribotuar nga AIITC, me disa rregullime dhe ndërhyrje nga ana e autorit. Ai përmban dyzet e dy poezi, në shumicën e të cilave mbizotërojnë figurat letrare shpotitëse, ku vihet re zhgënjimi i thellë për mosrealizimin e idealeve për të cilat ai dhe brezi i tij luftuan me armë në dorë. Pavarësisht kësaj, viset shqiptare si Kosova e Çamëria përshkohen nga poeti me dashuri, për traditat e spikatura dhe bukuritë e natyrës, duke i përballur këto me egërsinë e fqinjëve, qëndrimin e fuqive të mëdha evropiane, copëtimin tragjik dhe gjakun e derdhur nga shqiptarët.

Ibrahim D. Hoxha rrjedh nga një familje e shquar atdhetare çame që, pasi u detyrua të emigronte nga Çamëria, u vendosën në Tiranë, ku iu përkushtua arsimimit të tij. Me shumë vështirësi e përpjekje, arriti të diplomohej në degën Histori-Filologji, pranë Universitetit të Tiranës, gjë që i dha mundësinë t’u përkushtohej studimeve shkencore mbi historinë shqiptare, veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës.
Një numër i madh veprash ku spikasin enciklopeditë dhe botimet e shumta për çështjen kombëtare, janë thesari i çmuar me të cilin ky autor ka pasuruar kulturën shqiptare. Ndër veprat e tij, mund të përmendim: “Këngë popullore çame”, “Nëpër udhën e penës shqiptare”, “Turqit dhe Shqiptarët”, “Çamëria dhe Janina në vitet 1912 – 1922” (artikuj studimorë), “Visaret kombëtare shqiptare në shtetin grek”, “Enciklopedia Jugshqiptare”, “Shqipëri, moj dritë ylli”, “Bilbila dhe thëllëza çame” etj.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2