wrapper

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam dhe Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara, Sarajevë, organizuan në Shkodër, më 29 shtator 2018 seminarin ndërkombëtar me temë: “Menaxhimi i konvikteve studentore dhe veprimtaritë jashtëshkollore”. Morën pjesë në këtë seminar drejtues dhe kujdestarë konviktesh nga medresetë e qyteteve Shkodër, Durrës, Prishtinë, Shkup, Podgoricë dhe Preshevë.
Punimet i çeli drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj, me një fjalë përshëndetëse, ku evidentoi bashkëpunimin disa vjeçar midis AIITC dhe instituteve të tjera organizatore në zhvillimin e veprimtarive të tilla akademiko – trajnuese rreth arsimit islam te shqiptarët. Ai vuri në dukje se konviktet kanë qenë pjesë integrale e medreseve islame që në themelimin e tyre në vendet e Ballkanit dhe në trojet shqiptare, ku vakëfet luanin një rol të rëndësishëm në financimin e tyre për t’u ofruar medresistëve strehim dhe ushqim.

Takimin e përshëndetën, gjithashtu, përfaqësuesi i Myftinisë së Shkodrës, z. Arben Halluni, dhe drejtori i CNS, prof. dr. Ahmet Alibashiq, të cilët theksuan rëndësinë e mirëmenaxhimit të konvikteve, për mbarëvajtjen e nxënësve të medreseve dhe për impaktin që jeta konviktore ka në formimin e tyre.

Më pas, seminari vijoi me referatin hyrës, të cilin e mbajti prof. as. dr. Ramiz Zekaj. Ai trajtoi në parim çështjet themelore që kanë të bëjnë me konviktet, rëndësinë e tyre për nxënësit dhe shoqërinë, si dhe rolin e konviktit në pozitën e një etape të rëndësishme të arsimit islam. Pasi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis medreseve ballkanike, por edhe të komunikimit mes nxënësve dhe trupave pedagogjike të medreseve, sugjeroi një varg orientimesh praktike rreth programeve edukuese dhe të veprimtarive që duhet të zhvillohen në konvikte.

Punimet e mëtejshme të seminarit vazhduan në dy sesione: njëri rreth menaxhimit të konvikteve dhe tjetri rreth programeve të edukimit të zbatuara në to. Një nga çështjet që ngjalli interes të veçantë ishte kualifikimi profesional i kujdestarëve / edukatorëve të konviktit, si një element thelbësor i trekëndëshit nxënës - prind – edukator. Në studimin e prezantuar nga studiuesja boshnjake Amela Numanoviç – pedagoge e shkencave të edukimit në Universitetin e Sarajevë u përcaktuan si kritere për të qenë edukator konvikti në medrese këto kushte: arsim i mesëm në medrese dhe arsimi i lartë në fushën e shkencave të edukimit dhe/ose psikologjisë, sociologjisë e shkencave islame, si dhe diplomë master në një nga fushat e cituara. Sipas saj, detyra e edukatorit të konviktit është e njëjtë, në mos më e rëndësishme, se detyra e mësuesit të medreseve, sidomos në aspektin e edukimit. Më tej u diskutuan edhe një seri çështjesh të tjera të kësaj fushe. U vlerësua në mënyrë të veçantë mundësia që organizatorët u ofruan pjesëmarrësve për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të shkëmbyer përvojat.

Përveç nevojës së mirëfunksionimit të konvikteve, u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit me drejtuesit e ministrive të arsimit në vendet përkatëse, me Bashkësitë Islame, me qendrat dhe shoqatat e ndryshme kulturore islame që veprojnë në Ballkan dhe më gjerë. Përmes këtij bashkëveprimi, synohet koordinimi i metodave të punës me aftësitë e tyre në fusha të ndryshme veprimi, për të arritur standardet bashkëkohore në menaxhimin e konvikteve dhe veprimtarive që zhvillohen në to.

Në përfundim, pjesëmarrësit në seminar vendosën që punimet e tij të vijojnë me një vizitë pune të pjesëmarrësve në konviktet e medreseve të Sarajevës dhe Visokos në Bosnjë, çka do të bëjë më të mundur shkëmbimin praktik të përvojave mes medreseve të Ballkanit.

Sipas saj, detyra e edukatorit të konviktit është e njëjtë, në mos më e rëndësishme, se detyra e mësuesit të medreseve, sidomos në aspektin e edukimit. Më tej u diskutuan edhe një seri çështjesh të tjera të kësaj fushe. U vlerësua në mënyrë të veçantë mundësia që organizatorët u ofruan pjesëmarrësve për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të shkëmbyer përvojat.

Përveç nevojës së mirëfunksionimit të konvikteve, u theksua domosdoshmëria e bashkëpunimit me drejtuesit e ministrive të arsimit në vendet përkatëse, me Bashkësitë Islame, me qendrat dhe shoqatat e ndryshme kulturore islame që veprojnë në Ballkan dhe më gjerë. Përmes këtij bashkëveprimi, synohet koordinimi i metodave të punës me aftësitë e tyre në fusha të ndryshme veprimi, për të arritur standardet bashkëkohore në menaxhimin e konvikteve dhe veprimtarive që zhvillohen në to.

Në përfundim, pjesëmarrësit në seminar vendosën që punimet e tij të vijojnë me një vizitë pune të pjesëmarrësve në konviktet e medreseve të Sarajevës dhe Visokos në Bosnjë, çka do të bëjë më të mundur shkëmbimin praktik të përvojave mes medreseve të Ballkanit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2