wrapper

15 dhjetor 2017

Pasurimi i shpirtit dhe mendjes me dije, sidomos për fëmijët dhe moshat e reja, është një ndër qëllimet kryesore të Librotekës së Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Në kuadër të projektit “Bibliotekat, thesar i diturisë”, prej vitesh kjo Librotekë dhuron libra nga fondi i saj i artë dhe i larmishëm, për institucione publike e private në disa qytete të vendit.

Gjatë muajit dhjetor, me kërkesë të veçantë të kolegjit të vajzave “Albanian Qatar College”, u bë i mundur dhurimi me një tirazh prej 45 librash, të ndara në disa fusha: si kulturë, shkencë, letërsi, histori dhe fe, të autorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj.

Stafi i AIITC-së gjatë këtij dhurimi u prit nga drejtoresha e këtij kolegji, zonja Loreta Gorenxa, e cila pasi mori në dorëzim sasinë e librave të dhuruar, shprehu mirënjohjen për Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam dhe theksoi se kjo literaturë do të jetë mjaft e dobishme për nxënësit e këtij kolegji. Ajo premtoi se bashkë me nxënësit dhe mësuesit, do të vizitojnë nga afër ambientet e Librotekës AIITC.

Po në kuadër të këtij projekti, dhjetëra libra u dhuruan për bibliotekën e njësisë bashkiake numër 10 në Tiranë, ku përgjegjësja Elvana Çela e priti me mjaft interes këtë kontribut të vyer, që ndihmoi në pasurimin e mëtejshëm të kësaj biblioteke.
Sipas zonjës Çela edhe pse në këtë bibliotekë gjenden rreth 4500 tituj librash, kishte mungesë të theksuar të botimeve me tematikë fetare, pavarësisht kërkesave në rritje për to nga ana e lexuesve.

Ky projekt i Librotekës AIITC do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2018, duke pasur si qëllim pasurimin e bibliotekave të vogla në gjithë qytetet e Shqipërisë.

Nëpërmjet kësaj nisme, Libroteka e AIITC fton çdokënd, qoftë individ apo institucion, që të kontribuojë me libra të fushave të ndryshme. Librat pasi grumbullohen e klasifikohen, shpërndahen nëpër biblioteka të ndryshme të vendit, sipas nevojave të tyre.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2