wrapper

Tiranë, 22.01.2018

Departamenti i Studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) organizoi seminarin me temë: “Studentët elitarë dhe rruga drejt suksesit në karrierë”. Ky event mblodhi në librarinë “Tirana Times” më shumë se 50 studentë e studente, të cilët janë pjesë e programeve të edukimit që zhvillojnë AIITC dhe Shoqata Kulturore “Gruaja”. Të pranishëm ishin dhe të rinj e pjesëmarrës të tjerë, që ndoqën me interes ligjëratën e Dr. Anjeza Xhaferaj, aktualisht pedagoge pranë Universitetit Evropian të Tiranës.

Ligjërata e saj u përqendrua në 4 boshte kryesore, që janë: elita, merita akademike, suksesi dhe karriera. Duke marrë shkas edhe nga përvoja e saj personale si studente e më pas si pedagoge në marrëdhënie me studentët, Xhaferaj u përpoq që përmes këshillave të saj, të udhëhiqte ëndrrën e çdo studenti të pranishëm drejt suksesit të garantuar në karrierën e afërt.

Sipas saj rruga më e lehtë drejt suksesit është të punosh fort për të realizuar qëllimet që i vendos vetes, pasi pasuria nuk është gjithçka për të arritur suksesin, por puna e një studenti elitar vlerësohet vetëm përmes rezultateve të tij. Ajo ngriti shqetësimin se për fat të keq në Shqipëri mungojnë shkollat elitare dhe se të studiuarit jashtë vendit të krijon lehtësira. Por pavarësisht kësaj, duke sjellë shembuj nga arritjet e disa personaliteteve të shquara nëpër botë, Xhaferaj i inkurajoi të rinjtë që të përdorin të gjitha shqisat gjatë të nxënit dhe të kenë besim në aftësitë e tyre.

Pas ligjëratës së saj mjaft interesante, studentët patën mundësi të bashkëbisedojnë me lektoren mbi temën, duke shtruar pyetje të ndryshme që shqetësojnë ecurinë e tyre si studentë dhe aspiratat për karrierën.

Anjeza Xhaferaj është doktore shkencash, e diplomuar në Universitetin Evropian të Tiranës dhe që prej vitit 2011 punon si pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Edukimit, pranë UET-së. Si studente ka qenë vazhdimisht pjesë e programeve të ekselencës, ku ka përfituar bursë në kryerjen e studimeve universitare dhe të doktoraturës për shkenca politike pranë Universitetit Evropian të Tiranës. Ndërsa studimet master në Politikat Evropiane i kreu në Mbretërinë e Bashkuar.

Është kjo arsyeja që dr. Xhaferaj u përzgjodh nga AIITC si një shembull për t'u ndjekur nga studentët elitarë në rrugën e tyre drejt suksesit në karrierë. Këshillat e saj praktike, por edhe të bazuara në studime botërore, ishin mjaft frytdhënëse dhe u ndoqën me mjaft interes nga të pranishmit. Në fund të takimit pjesëmarrësve iu dhurua agjenda e vitit 2018.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2