wrapper

Tiranë, 30.01.2018

Akademia e AIITC “Popuj dhe kultura” organizoi takimin e saj të 11-të me temë “Trashëgimia kulturore e Egjiptit dhe rëndësia e saj në zhvillimin e turizmit”, në mjediset e Hotel Xheko Imperial, ku ishte i ftuar ambasadori i Republikës së Egjiptit, z. Mohamed Khalil. Në këtë takim morën pjesë personalitete të fushave të ndryshme, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Tiranë, studentë, intelektualë dhe drejtues të agjencive turistike.

Në fjalën e hapjes drejtori i AIITC, prof. as. dr. Ramiz Zekaj theksoi se marrëdhëniet e popullit shqiptar me Egjiptin datojnë që prej vitit 1800, me Mehmet Ali Pashën, pasuar nga bijtë e tij, që njihen edhe si themeluesit e shtetit modern egjiptian. Edhe pse sundimi i dinastisë shqiptare të Egjiptit do të përfundonte në vitin 1952, marrëdhëniet e shqiptarëve me Egjiptin nuk do të ndërpriteshin në shumë fusha. Në Egjipt u hodhën hapat e para të Rilindjes Kombëtare, ku veprimtarët shqiptarë të lindur atje, ose që kishin emigruar me kohën, do të bëheshin pionierë të lëvizjes patriotike, duke zhvilluar një veprimtari të dendur në promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Edhe gjatë regjimit Komunist, u ruajtën marrëdhëniet diplomatike dhe kulturore midis dy vendeve. Ndërkohë që pas viteve 90, shteti shqiptar ka nënshkruar me atë egjiptian jo më pak se 16 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, që kanë kontribuar në konsolidimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Nga ana e tij ambasadori Mohamed Khalil u përqendrua në dy çështje, në prezantimin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të Egjiptit dhe në marrëdhëniet dypalëshe Egjipt-Shqipëri. Sa i përket zhvillimit ekonomik, ai theksoi se Egjipti është një nga vendet më të mëdhenj dhe me më shumë resurse në Lindjen e Mesme. Falë klimës së tij tepër të favorshme dhe pozicionit gjeografik, Egjipti konkurron denjësisht mes vendeve turistike më të bukura. Përveç kësaj, ky vend përfaqëson një nga djepet më të mëdha të trashëgimisë botërore, me piramidat dhe monumentet e tjera të antikitetit, të cilat përbëjnë 1/3 e trashëgimisë kulturore botërore. Ai e quajti Egjiptin tokë të profetëve dhe një vend që me institucionet e tij historike, si universiteti Al Az′har, përçon vlerat e vërteta të islamit.

Ndërsa në pozicionin e tij si ambasador, zoti Khalil theksoi së është munduar të intensifikojë marrëdhëniet mes dy vendeve, duke realizuar një sërë projektesh dypalëshe si krijimi i një draft-marrëveshjeje për transportin detar, rivendosja e udhëtimeve charter Tiranë - Sharm el-Sheikh apo pjesëmarrja në festivale ndërkulturore mes dy vendeve.

Në fund të fjalës së ambasadorit egjiptian, të pranishmit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me të, duke i drejtuar shumë pyetje, sidomos mbi marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e kulturës dhe turizmit. Ata hodhën idenë e botimit në gjuhën shqipe të disa veprave të rëndësishme egjiptiane si dhe sjelljen në Shqipëri të një ansambli folklorik egjiptian. Nga ana e tij z. Ambasador u shpreh se është duke bërë përpjekje, që të sjellë në Shqipëri përfaqësuesin e shkrimtarit nobelist egjiptian, Nexhib Mahfudh.

Në fund të takimit Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, njëherësh ish-ambasador i Shqipërisë në Egjipt (1993 – 1997), Dr. Faruk Borova e falënderoi ambasadorin egjiptian për pranimin e ftesës nga Akademia e AIITC “Popuj dhe kultura”, për të qenë mysafir në edicionin e saj të 11-të. Pasi i akordoi z. Khalil çertifikatën e mirënjohjes nga ana e Institutit, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe i ftoi ata të vijonin bisedat në koktejin e përgatitur për këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2