wrapper

Tiranë, 14.03.2018

Pas daljes me sukses të numrit 18 të revistës shkencore - kulturore “Univers”, u mblodh redaksia e revistës, për të diskutuar mbi platformën dhe fillimin e punës për realizimin e numrit 19 të saj. Në takim morën pjesë drejtori i revistës prof. as. dr. Ramiz Zekaj, kryeredaktori prof. dr. Ramazan Bogdani, anëtarët prof. dr. Arian Kadiu, prof. dr. Nevila Nika, prof. dr. Hamit Boriçi dhe prof. dr. Seit Mancaku. Të pranishëm ishin edhe stafi teknik i revistës, nëndrejtori i AIITC-së Alban Kodra dhe koordinatorja e revistës Anisa Hykaj.

Sipas rendit të ditës, ky takim u çel nga drejtori i revistës, prof. as. dr. Ramiz Zekaj i cili vlerësoi me nota pozitive punën e bërë për nxjerrjen në standardet e duhura të numrit 18 të kësaj reviste, e cila tashmë ka kaluar në duart e lexuesve dhe institucioneve homologe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha vendet e Ballkanit dhe më gjerë.

Ai më pas prezantoi edhe anëtarin e ri të redaksisë, prof. dr. Seit Mancakun që merrte pjesë për herë të parë në mbledhjen e redaksisë së revistës “Univers”, duke e konsideruar prezencën e tij si një prurje me vlerë, dhe të një përvoje të gjatë në fushën e studimeve albanologjike, e që për revistën dhe stafin e saj, do të jetë shumë e dobishme për arritjen e objektivave të saj.

Më pas fjalën e mori kryeredaktori i revistës, prof. dr. Ramazan Bogdani i cili bëri një rezyme të të gjithë punës, problematikave dhe risive të numrit 18 të revistës. Ai ndaloi edhe në trajtimin e disa çështjeve konkrete të cilat në të ardhmen do të sigurojnë cilësi dhe prurje më të avancuara të ideve nga bashkëpunëtorët e revistës.

Takimi vijoi me diskutimet mbi platformën e punës për përgatitjen e numrit të ri, ku profesorët e nderuar, anëtarë të redaksisë, dhanë mendimet e tyre, idetë dhe sugjerimet mbi punën që duhet kryer dhe procedurat që duhen ndjekur për realizimin e saj. U nënvizua se viti 2018 përmban disa përvjetorë të ngjarjeve të rëndësishme në historinë shqiptare, si Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, viti i Skënderbeut etj., të cilët duhet të gjejnë pasqyrim në artikujt studimorë të revistës.

Gjithashtu u diskutua edhe për një promovim dhe shpërndarje sa më të gjerë gjeografike të revistës, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Përveç Kosovës dhe Maqedonisë, mendohet që kjo revistë të promovohet edhe në Mal të Zi, apo në vende të tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Po kështu do të punohet që revista “Univers” të shpërndahet në të gjithë qytetet e Shqipërisë, në mënyrë që të ketë sa më shumë prurje të punimeve akademike jo vetëm nga trojet shqiptare, por edhe më tej. U hodh ideja se përhapja gjeografike, do të bënte të mundur edhe përzgjedhjen e shkrimeve studimore e shkencore sa më të mira, cilësore dhe me standarde të larta për botim.

Ndërsa prof. dr. Seit Mancaku falënderoi drejtuesit për besimin që treguan ndaj tij, duke e bërë pjesë të redaksisë së një reviste kaq serioze. Ai shprehu mendimet e tij rreth platformës së re, për hartimin e numrit 19 të revistës “Univers”.

Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjerimin e redaksisë me anëtarë të rinj, nga Maqedonia e Kosova, gjë që do të lehtësonte edhe më tej shpërndarjen e revistës në vendet e rajonit. Gjithashtu u diskutua edhe për sa i përket zgjerimit të Bordit Këshillimor të revistës, me anëtarë të rinj.

Pas marrjes së direktivave përkatëse, redaksia e revistës “Univers” ka nisur nga puna për mbledhjen e më pas përzgjedhjen e sa më shumë materialeve cilësore, që do të jenë pjesë e numrit 19 të kësaj reviste.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2