wrapper

 

Në datat 10-14 mars u zhvillua edicioni i dytë i Panairit të librit, i mbajtur në Elbasan, ku merrnin pjesë institucione, librari dhe ente botuese lokale nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ky panair i organizuar nga Shoqata “Durana”, nën kujdesin e Bashkisë Elbasan, gjatë 5 ditëve të tij u vizitua nga qindra qytetarë elbasanas, të shoqëruar nga fëmijët e tyre. Duke qenë se panairi përkoi edhe me organizimet e këtij qyteti, me rastin e festës së Ditës së Verës, ai tërhoqi vëmendjen e shumë lexuesve dhe dashamirësve të librit jo vetëm nga Elbasani, por edhe nga disa qytete të tjera.


Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam mori pjesë për herë të parë në këtë panair, ku pati mundësinë t′i prezantojë veprimtarinë e tij botuese publikut shqiptar anembanë vendit. Botimet e paraqitura në stendën e AIITC i përkisnin disa fushave studimore e kulturore si vepra shkencore, fetare, artistike, libra për fëmijë, periodikë etj. Mes tyre edhe disa nga botimet më të reja të këtij Instituti si libri “Hyrje në Islam”, i autorit Muhamed Hamidullah; revista “Univers” nr. 18; libri “Efektet metafizike në shpirtin njerëzor” etj.

Si në çdo panair, për të interesuarit AIITC ofroi me 30% ulje disa prej botimeve, mes të cilave Fjalori Arabisht – Shqip, libri “Xhamitë e Shqipërisë”, të autorit Aleksandër Meksi, “Muhtesar Sahih el-Buhari” dhe botime të tjera. Por nuk munguan as dhuratat për miqtë dhe dashamirët e AIITC, të cilët shfaqën interes për botimet tradicionale si Kurani i Madhërishëm, "Muhamedi, kush është ai" etj. Përveç blerjeve të botimeve, vizitorët patën rastin të mësojnë më shumë për veprimtarinë e Institutit, jo vetëm në fushën e botimeve, por edhe në drejtime të tjera të veprimtarisë akademike dhe kulturore.


Interesi i treguar nga lexuesit për botimet e AIITC në Panairin e librit në Elbasan ishte i konsiderueshëm, jo vetëm për librat studimorë e kulturorë, por në veçanti për librin islam. AIITC do vazhdojë të jetë pjesë e pandarë e panaireve të librit jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj, me qëllim për të promovuar vlerat e botimeve të saj, për të qenë sa më pranë interesit në rritje të lexuesve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2