wrapper

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ndërmerr një tjetër hap drejt botimit të veprave serioze në fushën e shkencës dhe studimeve. Bëhet fjalë për historinë e krijimit dhe funksionimit të vilajetit të Kosovës, nën Perandorinë Osmane. Zhvillimet politike dhe sociale të këtij vilajeti, janë trajtuar me mjaft vërtetësi nga autorja turke Mucize Ünlü në tezën e saj të doktoratës “Struktura administrative dhe sociale në Vilajetin e Kosovës (1877-1912)”.

Me miratimin dhe dashamirësinë e autores, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam mori përsipër përkthimin nga origjinali dhe botimin e këtij libri në gjuhën shqipe, si pasurim i mëtejshëm i historisë së shqiptarëve, me fakte e të dhëna të reja dhe me vizion bashkëkohor.

Në kundrimin e sistemit administrativ të vilajetit të Kosovës, autorja pikas modelin e organizimit të përsosur për kohën. Një tërësi e kompleksitet ligjesh, marrëveshjesh e rregulloresh me interes e në përgjigje të nevojave të gjithë popullsisë së përfshirë në vilajet, një popullsi shumë etnike si shqiptarët, bullgarët, çerkezët, ciganët, serbët, turqit, vllehët e hebrenjtë. Në historinë e vilajetit të Kosovës gjendet mesazhi i mirëkuptimit, pavarësisht diversiteteve kombëtare, fetare, gjuhësore dhe kulturore.

Libri përbëhet prej katër kapitujsh, ku janë përmendur, në mënyrë të përgjithshme, ato ngjarje të cilat kanë pasur rëndësi të veçantë për Kosovën, prej kohëve të hershme e deri në vitin 1912.

Për realizimin e kësaj monografie autorja është mbështetur në dokumentet që ka mundur t′i sigurojë në Arkivin Osman të Kryeministrisë, si dhe nga katalogët që i përkisnin Inspektoratit të Rumelisë. Gjithashtu ka shfrytëzuar edhe statistikat vjetore shtetërore dhe të huaja apo një sërë gazetash të ndryshme.

Ky botim do të jetë një burim mjaft i mirë informacioni për studiuesit e kësaj fushe, por edhe lexuesit e interesuar për historinë e Shqipërisë dhe Kosovës. Tashmë ky libër është në rrugën e botimit dhe shumë shpejt do të jetë në duart e lexuesve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2