wrapper

 
Në veprimtarinë e tij 20-vjeçare Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka shërbyer si model dhe pikë referimi për shumë të interesuar mbi veprimtarinë kulturore islame, jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe më gjerë në rajon. Në këtë kontekst, një grup prej gjashtëdhjetë vizitorësh nga qytete të ndryshme të Bosnjë-Hercegovinës patën rastin të njihen me mjediset dhe punën e Institutit, gjatë turneut turistik që janë duke zhvilluar në qytete të ndryshme të Ballkanit.
 
Në pritje të mysafirëve ishin Kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova, nëndrejtori Alban Kodra dhe stafi i AIITC. Pas urimeve të mirëseardhjes, vizitorët u ftuan të qëndrojnë në amfiteatrin e Institutit, ku u shfaq për ta një prezantim elektronik i aktivitetit të AIITC. Nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra teksa shoqëroi me sqarimet përkatëse prezantimin elektronik, theksoi se qëllimi i punës së Institutit është ruajtja, evidentimi dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore islame te shqiptarët. Mes të tjerash, ai i njohu ata me botimet kryesore të Institutit ndër vite, si dhe punën edukative që zhvillohet me moshat shkollore e studentore, nëpërmjet kurseve të gjuhëve të huaja dhe të mësimit plotësues.
 
Vizitorët shprehën admirimin e tyre për këtë veprimtari shumëdimensionale dhe falënderuar Instituti për mikpritjen e tij. Nga ana tjetër, Dr. Borova u uroi qëndrim të këndshëm në Shqipëri dhe vlerësoi vizitën e tyre, duke theksuar elementët e përbashkët midis popullit shqiptar dhe atij boshnjak, si pjesë e arealit të Ballkanit Perëndimor, që i lidh shumëçka nga e kaluara dhe nga synimet për të ardhmen.
 
Pas prezantimit, mysafirët vizituan mjediset e tjera të AIITC: Muzeun, ku ndodhen objekte të veçanta nga trashëgimia islame e vendit, Librotekën me një fond të pasur librash dhe zyrat e punës. Para se të largohen ata shënuan mbresat e tyre në librin e përshtypjeve, me urimet më të mira për suksese të mëtejshme në veprimtarinë e AIITC.
 

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2