wrapper

Tiranë, 12.07.2018
 
Krijimi i qyteteve në vendet e Ballkanit ka kaluar në disa stade zhvillimi, sipas një organizimi social-eknomik, politik e fetar. Por Perandoria Osmane i dha një tjetër hov ndarjes administrative dhe zhvillimit të qendrave të banuara, sidomos në vendin tonë. Përveç krijimit të mëhallëve dhe çarshive, pazaret ishin pjesa më e bukur e më e frekuentuar e qyteteve, në të cilat pasqyrohej  kultura e vjetër tradicionale. 
 
Njohja e studentëve me karakteristikat e këtyre komplekseve urbane, ishte qëllimi i seminarit me temë: “Antropologjia e pazareve të vjetra shqiptare në periudhën osmane”, i organizuar nga Departamenti i Studentëve pranë AIITC, me rastin e mbylljes së vitit akademik 2017-2018. Prezantimin e mbajti dr. Armanda Hysa, antropologe e historiane sociale, e specializuar në pazaret e vjetra të Ballkanit dhe punonjëse shkencore në një varg institucionesh akademike brenda e jashtë vendit. 
 
Takimin e çeli përgjegjësja e Departamentit të Studentëve, znj. Afërdita Hyseni, e cila paraqiti objektivat edukativë që ky Departament realizon nëpërmjet veprimtarive të tilla me personalitete të kulturës dhe të dijes. Më pas lektorja e nisi ligjëratën e saj duke theksuar se sot në Shqipëri, për fat jo të mirë, gjenden pak gjurmë nga këto pazare, prandaj audiencës do t’i duhet të përfytyrojë shumë nga përshkrimet që ajo do të japë e që gjenden nëpër shënimet e dijetarëve të mëhershëm.
 
Në vijim ajo shpjegoi se qendrat urbane në Ballkanin osman, të njohur me emrin Rumeli, karakterizoheshin nga një ndarje e qartë hapësinore mes zonave të banuara, mëhallëve dhe zonës ekonomike, pazarit. Duke e përshkruar në detaje këtë strukturë, ajo u ndal te rëndësia e pazarit si ndër të paktat hapësira publike për kohën. Ai ishte vendi kryesor i socializimit, ku takoheshin shtresat e ndryshme shoqërore, me larminë e veshjeve, zakoneve dhe të produkteve të tyre. Sipas saj, çarshitë dhe pazaret ishin nyjë kryesore e kontaktit edhe me botën e jashtme, përmes haneve, karvanëve e karvan-sarajeve.
 
Në leksionin e saj, antropologia Hysa përshkroi llojet e pazareve, ndryshimin e tyre me çarshitë dhe implikimet e pazarit në jetën shoqërore të qytetit apo të krahinës ku ndodhej. Për ilustrim ajo u përqendrua te pazari i Shkodrës, si një nga më të mëdhenjtë e Ballkanit dhe pika kyçe e tregtisë rajonale e ndërkombëtare për Shqipërinë që prej shekullit XVIII. Artizanët shkodranë ishin të specializuar për veshjet në disa zona si Lezhë, Mirditë, Pukë etj., madje edhe në mal të Zi. Ndërsa tregtarët e mëdhenj shkodranë, me anijet e tyre e shtrinë tregtinë në Spanjë, Afrikën e Jugut, Arabi e deri në Kinën e largët. Bezistani i pazarit të Shkodrës ku bëhej tregtia e këmbimit të parave, shitjes së arit, mëndafshit dhe copave të shtrenjta, për kohën mund të konsiderohej si një “bankë”, pasi kishte në dorë gjithë pushtetin ekonomik të Shkodrës dhe më gjerë.  
 
Më tej lektorja vuri në dukje se hulumtimi në ditët e sotme i kësaj tradite rezulton të jetë paksa i vështirë. Kjo pasi shumica e pazareve e çarshive janë shkatërruar, sepse konsideroheshin objekte të rëndomta sociale të jetës së përditshme dhe janë ruajtur vetëm ato objekte që kishin arkitekturë me ndikim perëndimor. Pazaret e vjetra sot ekzistojnë vetëm në disa prej qyteteve kryesore të Shqipërisë si Krujë, Korçë e Gjirokastër, edhe pse kanë pësuar ndryshime të dukshme në arkitekturë. 
 
Në përfundim, antropologia nënvizoi se, studimet e kësaj fushe janë të rëndësishme për ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie kulturore, por për këtë qëllim duhen shfrytëzuar veçanërisht burimet në gjuhën osmane, që përmbajnë informacion më të plotë e të detajuar. Më tej takimi vijoi me koktejin e rastit, ku të pranishmit zhvilluan biseda të lira midis tyre. 
 

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2