wrapper

Tiranë, 04.10.2018

Zgjerimi i bashkëpunimit kulturor dhe shkencor me partnerë vendas e të huaj është një nga përparësitë e punës së Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC). Me këtë objektiv, si dhe me qëllimin për të prezantuar ndryshimet e fundit në strukturën drejtuese të Institutit, një delegacion i tij zhvilloi vizitë pune në Ambasadën e Egjiptit në Tiranë.

Delegacioni i përbërë nga drejtori i AIITC i emëruar rishtazi, dr. Ardian Muhaj, këshilltari shkencor prof. dr. Muharrem Dezhgiu dhe përgjegjësi i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, z. Ubejd Osmani, u mirëprit nga ambasadori Mohamed Khalil.

Në fjalën e tij, z. Ambasador i uroi suksese drejtorit të ri për marrjen e detyrës. Ai vlerësoi gatishmërinë e shfaqur nga AIITC për të bashkëpunuar me Ambasadën e Egjiptit, duke vënë theksin në rëndësinë e vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi.

Nga ana e tij, drejtori i AIITC-së u shpreh mirënjohës ndaj Ambasadës së Egjiptit në Shqipëri për marrëdhëniet e mira shumëvjeçare midis dy institucioneve. Ai shfaqi dëshirën që në të ardhmen ky bashkëpunim të pasurohet dhe prezantoi ide të reja projektesh të përbashkëta në fushat e trashëgimisë kulturore dhe të arsimit.

Me këtë rast, Ambasadorit iu dhuruan disa nga botimet më të fundit të AIITC-së: numri i 19-të i revistës shkencore kulturore “Univers”, botimi i punimeve të konferencës: “Kurrikulat dhe Tekstet Shkollore në Medresetë Shqiptare” dhe vëllimi poetik: “Vetëmohova Djalërinë”.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2