wrapper

Vërtetësia e fakteve historike të servirura nga historiografia shqiptare, ka qenë objekt diskutimi pas rënies së sistemit komunist. Nga një varg studiuesish të rinj vjen konstatimi që historiografia shqiptare është përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve nga klasat politike që synojnë instrumentalizimin e saj, prandaj e kemi mjaft të vështirë të shkojmë përtej asaj çka na ofrojnë librat tanë të historisë.

Guximin për ta bërë një gjë të tillë, e pati historiani shkodran Doan Dani në librin e tij studimor me titull “Shpikja e Mesjetës - Vetja dhe Tjetri në medievistikën shqiptare”. Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam e zgjodhi atë për të nisur ciklin “Bisedë me autorin”, në kuadër të fillimit të vitit të ri akademik.

Fillimisht, përgjegjësja e Librotekës, Afërdita Hyseni, bëri një prezantim të shkurtër të këtij projekti 3-vjeçar, ku pjesë e takimeve kanë qenë shkrimtarë, poetë e studiues nga Shqipëria dhe jashtë saj.
Më pas, nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra, duke e konsideruar këtë libër unik e që parashtron një këndvështrim interesant mbi problemet e historiografisë shqiptare, e zhvilloi bashkëbisedimin me autorin në formën e një interviste, ku u përfshinë edhe studentët e pranishëm.

Duke treguar për shtysat që e çuan drejt një studimi të tillë, studiuesi Dani theksoi se përmes këtij libri kërkon të hedhë dritë mbi manipulimin që i është bërë historisë shqiptare mbi periudhën e Mesjetës; madje solli ndërmend se, që në moshë të hershme, ka refuzuar të pranojë tekstet narrative të ofruara në librat tanë të historisë.

Ai nuk arrin ta pranojë faktin se këta libra ofrojnë vetëm atë çka ne duhet të besojmë dhe jo atë që ka ndodhur realisht, sipas burimeve dokumentare.
Me keqardhje, Dani thekson se institucionet e memories së kombit në Shqipëri janë shumë të dobëta dhe të varfra në literaturë burimore dhe studime alternative, çfarë e bën thuajse të pamundur për studentin të bëjë verifikime apo të njihet me metoda të reja studimore në lëmin e historisë.
Duke u ndalur në tre fazat që përbëjnë boshtin qendror të kësaj vepre, periudha para vendosjes së sistemit totalitar, periudha e diktaturës dhe periudha postkomuniste, ai mendon se faza e dytë është edhe më produktivja në historiografinë shqiptare, por historianët e kësaj periudhe kanë arritur të ngulisin në memorien kolektive një Mesjetë lineare, monotone dhe të imagjinueshme, që fillon e mbaron me luftëra njëra palë është heroi i përsosur, ndërsa tjetra është armiku me të gjitha cilësitë negative.
I pyetur nëse diçka mund të ndryshojë nga brezi i ri i historianëve për zbardhjen e kësaj ane të errët të historiografisë sonë, ai u shpreh mjaft skeptik, duke theksuar se mungon akoma guximi për t'u përballur me një histori që tashmë është rrënjosur thellë, që në librat e sistemit shkollor. Por ai mendon se një debat publik mbi këtë çështje do të ishte mjaft frytdhënës në të ardhmen.

Nëndrejtori Kodra e mbylli bisedën me dëshirën që edukimi i brezit të ri me ideologjizma dhe me frymën e urrejtjes ndaj tjetrit të marrë fund. Sipas tij, kjo mund të bëhet e mundur vetëm përmes rishkimit të historisë, pasi epoka e globalizmit imponon nevojën e studimeve më të thelluara në historiografinë shqiptare për të krijuar një impakt pozitiv sistemin tonë arsimor.

Takimi u mbyll me shpërndarjen e kartave të reja të anëtarësisë në Librotekën e AIITC, për të gjithë studentët e pranishëm.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2