wrapper

Kavajë, 31.10.2018
 
Bashkia e Kavajës organizoi një ceremoni festive me rastin e 200-vjetorit të krijimit të Sahat kullës së këtij qyteti, ku morën pjesë dhjetëra personalitete vendas dhe të huaj. Të ftuar nderi ishin ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro, ambasadori i Republikës së Turqisë, z. Murat Ahmet Yoruk dhe koordinatori Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), z. Necip Ozay Ozutok. Mes të ftuarve ishin edhe drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Ardian Muhaj, dhe përgjegjësi i Departamentit të Marrëdhënieve me jashtë pranë AIITC, z. Ubejd Osmani.   
Të pranishmit u pritën nga kryetari i bashkisë, z. Isa Sakja, i cili i dorëzoi delegacionit turk një certifikatë mirënjohjeje për kontributin në restaurimin e këtij objekti me rëndësi historike. Ceremonia vazhdoi me fjalët e rastit dhe zbulimin e pllakatës së Sahat kullës. Më pas të pranishmit dëgjuan një kumtesë mbi historikun dhe arkitekturën e saj, të mbajtur nga historiani Rifat Hoxha. Këtij aktiviteti nuk mund t′i mungonin edhe shfaqja e një dokumentari të Sahat kullës së restauruar si dhe ekspozita me foto të hershme të saj. 
Sahat kulla e Kavajës u ndërtua gjatë shek. XIX dhe ndodhet në sheshin e pazarit, në pikën më të lartë të qytetit. Ajo është e punuar me gurë shtufe, e shoqëruar me gdhendje. Ky objekt shquhet për vlerat arkitektonike ku bie në sy dekorimi ornamentik që krijojnë gurët e bardhë me gurët jeshilë. Në vitin 1948 mori statusin e mbrojtjes, Kategoria e parë. Pas dëmtimeve ndër vite, Sahat kulla iu nënshtrua restaurimit të plotë të saj, duke i shtuar vlerat historike të këtij qyteti.  

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2