wrapper

Shkodër, 05.11.2018

Themeluesi i Emirateve të Basshkuara Arabe, Sheik Zayed bin Sultan Al Nahyan konsiderohet botërisht si një ndër udhëheqësit më efikasë dhe më të suksesshëm. Nën drejtimin e tij, disa principata të vogla bregdetare arabe në një kënd të Gjirit Persik u bashkuan, për të formuar më pas një nga shtetet më me peshë në rajonin e pasur të Gjirit dhe me ndikim në Lindjen e Mesme e më gjerë. Sheik Zayed mbikëqyri zhvillimin ekonomik të Emirateve, duke i drejtuar të ardhurat e naftës në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Falë strategjisë së tij drejtuese, sot rezervat e naftës së Emirateve renditen ndër shtatë rezervat më të mëdha në botë dhe ai është një ndër shtetet më me influencë në ekonominë botërore.

Në vitin e 100-vjetorit të kësaj figure komplekse, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi referimin shkencor me temë: “Sheik Zayed dhe politika e jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe”. Takimi u zhvillua në Shkodër në kuadër të Akademisë AIITC “Popuj dhe Kultura”. Për të folur mbi temën ishin të ftuara dy akademike nga EBA, Dr. Rafia Obaid Ghubash, presidente e Rrjetit Arab për Gruan në Shkencë e Teknologji dhe Dr. Maryam Sultan Lootah, profesor i asociuar në Shkencat Politike, Universiteti EBA.

Fjalën e hapjes e mbajti drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj, i cili bëri një prezantim të shkurtër të Akademisë AIITC “Popuj dhe kultura”, ndër vite, dhe misionit të kësaj nisme për vlerësimin e personaliteteve me kontribut të veçantë në disa vende.

Më pas fjalën e mori dr. Rafia Ghubash, e cila në ligjëratën e saj me temë: “Rruga e një udhëheqësi në drejtimin e një kombi”, bëri një prezantim të shkurtër të historisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, që prej periudhës së politikave të qeverisjes fisnore, deri në udhëheqjen e Sheik Zayed. Ajo theksoi tiparet kryesore të Sheik Zayed, dashuria për popullin dhe vendin e tij, personaliteti karizmatik dhe vendosmëria, që e bënë të përballojë sfidat për krijimin dhe përparimin e shtetit të ri. Për sa i përket aftësisë së tij për të krijuar siguri, paqe dhe rend, dr. Ghubash ia atribuoi këtë natyrës së tij humane dhe aftësive komunikuese me qytetarët. Falë këtyre cilësive, sot EBA është një ndër shtetet më humanitare në botë. Ajo nuk la pa përmendur edhe kontributin e Emirateve për Shqipërinë, ku Abu Dhabi ka dhuruar 1 milion e 280 mijë derhemë (305 mije euro) për familjet shqiptare të dëmtuara nga përmbytjet e lumenjve Vjosa, Devoll dhe Seman. Gjithashtu Fondi i Abu Dhabit për Zhvillim ka financuar projekte strategjike në Shqipëri, me vlerë 424 milion derhemë (101 milion euro). Sipas dr. Ghubash, kontribut të veçantë Sheik Zayed ka luajtur në fuqizimin e rolit të gruas në vendimmarrje.

Ndërsa ligjërata e dr. Maryam Lootah u përqendrua në rolin e Zajed, në faktorët përcaktues dhe orientimet e politikës së jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ajo vuri theksin në këmbënguljen e tij për zgjidhjen e problemeve kufitare me fqinjët, si një rrezik potencial për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ajo vlerësoi mençurinë e Sheik Zayed i cili forcoi prezencën e shtetit në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu krizat e disa shteteve nxorën në pah potencialet e diplomacisë emiratase, ku vërehet efikasiteti, fleksibiliteti dhe koherenca e kësaj diplomacie në trajtimin e krizave, sipas specifikave përkatëse. Mençuria në vendimmarrje dhe vizioni i qartë mbi mjedisin e brendshëm, rajonal dhe atë ndërkombëtar, përbën një nga elementet më të rëndësishme të suksesit të politikës së jashtme të Emirateve. Ajo përfundoi duke thënë se sjellja e balancuar e politikës së jashtme të EBA, nën shembullin e Sheik Zayed, mbetet çelësi i suksesit dhe një nga elementet esenciale të fuqisë së vendit.

Ligjëratat e tyre u ndoqën me mjaft interes nga të pranishmit. Në fund të këtij aktiviteti, zonjat Rafia Ghubash dhe Maryam Lootah u nderuan me certifikata mirënjohjeje dhe suvenire për pjesëmarrjen në edicionin e 12-të të Akademisë së AIITC “Popuj dhe Kultura”.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2