wrapper

Nga Ferid Ensar
Estetika është përkufizimi bashkëkohor i përdorur për të treguar një prej degëve të shkencave humane që merren me të bukurën, si një prej koncepteve të ekzistencës dhe si eksperiencë artistike në jetën e njeriut. Estetika, është shkencë që studion të bukurën, për sa i përket konceptit dhe formave të saj. Ajo do të shprehë të vërtetën dhe qëllimin thelbësor, që çdo gjë është krijuar për të qenë e bukur. Mbi këtë bosht janë themeluar edhe artet e bukura, me format e ndryshme të shprehjes së të bukurës. Përkufizimi i shkencës së të bukurës vjen nga përkthimi i fjalës estetika, që si përkufizim i përdorur përgjatë shekullit të tetëmbëdhjetë është fjalë e lindur prej filozofisë perëndimore. Në vitin 1750, filozofi gjerman Alexander Gottlieb Baumgarten, do të ishte njeriu i parë që do ta përdorte këtë përkufizim, për t’u bërë pjesë, më pas, e kulturave dhe e fushave siç janë letërsia dhe arti. Por estetika si koncept është e lashtë sa njeriu vetë dhe ka shoqëruar pa përjashtim të gjitha qytetërimet njerëzore, duke marrë një karakter të veçantë në çdo qytetërim, ashtu siç ka manifestime të veçanta e të dallueshme në çdo përvojë të ndryshme njerëzore.
Qytetërimi islam nuk do të ishte ndryshe nga qytetërimet e tjera të mëpërparshme në këtë pikë, sepse e bukura është nocion thelbësor i tij, si në aspektin e vlerave fetare, ideore dhe legjislative, po ashtu edhe në konceptin universal të tij, pa harruar aspektin e saj si përvojë emocionale dhe njerëzore. Nga këtu, ndërveprimi i myslimanit me vlerat e së bukurës, shtrihet nga ritualet e adhurimet e deri në normat zakonore fetare, nga rreshtat e Librit të Shenjtë e deri në bukuritë e natyrës. Si rezultat i këtij ndërveprimi erdhën në jetë kryeveprat e letërsisë dhe të artit, të prodhuara nga ndërgjegjja islame nëpërmjet leximit të saj gjithë finesë të universit dhe udhëtimit të saj mbresëlënës në të dy botët, në botën e padukshme dhe në atë materiale.

Mosnjohja e trashëgimisë islame i ka shtyrë disa filozofë drejt kufizimit të eksperiencës estetike islame vetëm me fushën e perceptimit mendor, pa përfshirë perceptimin emocional, duke e akuzuar kështu qytetërimin islam për varfëri artistike dhe estetike. Një akuzë e tillë tregon, së paku, mosnjohje të islamit dhe të vlerave të tij estetike nga njëra anë, si dhe mosnjohje të përvojës së popujve myslimanë nga ana tjetër. Me nivelin estetik nënkuptojmë të gjitha manifestimet e tij arabe dhe joarabe, persiane, indiane, turke, afrikane e deri në ato maldiviane etj.

estetika

Filozofi bashkëkohor francez Etienne Souriau, filozofi i estetikës dhe profesori i saj në Universitetin e Sorbonës në Paris, është përpjekur të mbrojë të vërtetën e estetikës islame, në përgjigje të disa prej kritikëve më të mëdhenj të saj. Megjithatë, ai nuk e korri suksesin e kërkuar, për shkak të mungesës së të dhënave mbi vlerat e estetikës në islam dhe përvojën e myslimanëve në këtë fushë. Në përgjigje të akuzave të drejtuara nga Balzaku, se estetika islame kufizohet vetëm te perceptimi dhe jo te ndjenjat, në librin e tij “Biri i mallkuar”, ai del në mbrojtje të estetikës islame, me urbanistikën dhe estetikën e arkitekturës në vendet arabe dhe islame. Por, për fat të keq, analiza e tij është më afër mitit sesa e bërë me standardet shkencore të estetikës.

Ai thotë: “Ky mendim është krejtësisht i gabuar. E vërteta qëndron në atë çfarë ka thënë Gaj në librin e tij “Arti arab”, ku ka folur për ndjenjat që nxit ky art, nga këndvështrimi arab i së bukurës, me shpalosjet gjeometrike, me detajet dhe format e saj. Prandaj dhe sqaron se nëse format arkitekturore kanë kënde të shumëfishta, ato zgjojnë ndjenja të thella qetësie me natyrë të dëlirë, por nëse numri i këndeve është tek, kjo ndjell trishtim, ankth dhe çrregullim”. Gjithashtu, thotë se: “Imazhi i kombinuar me struktura katërkëndore dhe tetëkëndore krijon idenë e qetësisë së përjetshme, kurse ato që krijohen nga forma e nëntë këndeve, zgjojnë ndjenjën e një sekreti misterioz të trazuar”! Është vërtet e pakuptueshme se si Gaj doli në përfundimin se ky koment i çuditshëm mbi format është rrjedhojë e botëkuptimit të arabëve për estetikën.

778

Në këtë pikë, shumica e historianëve perëndimorë të estetikës nuk ia kanë qëlluar në lidhje me simbolikën e estetikës islame dhe kanë gabuar në shumë vende në komentimin e estetikës në përvojën humane islame. Disa prej tyre e mohonin atë, kurse disa të tjerë mbetën peng i mureve dhe i rrethimeve, duke u përpjekur të deshifronin mbishkrimet dhe format e zbukurimit, ashtu si arkeologët përpiqen të deshifrojnë shenja të gdhendura në një pjesë guri të kohërave parahistorike.
Estetika islame buron, fillimisht, prej të vërtetave të besimit. Nëse ndërgjegjja e njeriut ka marrë formë prej dritës së Zotit të botëve, atëherë çdo gjë që bëhet më pas në rrugën drejt Zotit, është shprehje e estetikës. Kjo nis që nga lutjet me devocion, me lëvizje e fjalë elegante dhe plotë jetë, duke vazhduar me normat që rregullojnë sferën shpirtërore e atë materiale dhe duke përfunduar me arkitekturën e qyteteve islame. Në raste të tilla, e bukura shoqëron të gjitha vlerat shpirtërore dhe qytetare, si dhe shfaqet në veprimtarinë njerëzore të myslimanëve në lidhjen e tyre me Zotin, me veten dhe me të tjerët, madje edhe në marrëdhënien e tyre me natyrën që i rrethon.

Arkitektura islame, pavarësisht pasurisë së saj estetike, është gjëja e fundit që duhet të kërkojnë ata që duan të studiojnë estetikën islame prej burimeve të saj autentike. Fortesat e qyteteve dhe muret e tyre janë manifestime fizike të pasionit të shpirtit, të derdhura fuqishëm nëpërmjet kupolave dhe minareve drejt qiellit. Ato janë pasqyrim simbolik i përqafimit emocional, i vlerave moralo-shoqërore dhe i dashamirësisë, të karakterizuara nga droja dhe mbulesa. Harqet e përulura pasojnë njëra-tjetrën nëpër rrugica, që shtyjnë kalimtarët drejt rrugëve të mirësjelljes dhe nderimeve, drejt xhamive dhe shtëpive e ballkoneve të mbuluara dhe të hapura. Më pas, sekretet e saj shpërndahen në ornamente të skalitura dhe vizatime që shkëmbejnë rolet, një herë kaligrafia me shumëllojshmërinë e saj, e ndonjëherë fjalë që shprehin diçka dhe herë të tjera fjalë që shprehin ndjesinë e shikimit. Të gjitha varen si frerët në mur, që presin simpatinë e të dashuruarve dhe u kthejnë përshëndetjet të përkushtuarve, që të bashkohen me ta në lutje të përjetshme.

B0LcRJFCMAAlx h

Filozofi francez Etienne Souriau, do të thoshte: “Është fakt që duhet theksuar se përshpirtmëria islame është veçanërisht e kujdesshme në lidhje me rreziqet e artit stereotipik dhe gjen shfaqje të saj të mëdha në përdorimin abstrakt. Prandaj, nga ky këndvështrim, statusi estetik i artit islam duhet interpretuar nga ana e përvojës së abstraktit të sjellë prej tij. Duke shtuar, se abstrakti është arti që i përgjigjet me përpikëri nevojës së estetikës në botës arabe”. Në artin islam, gjuha e abstraktit krijon aktivitetin e një jete të gjallë në shoqëri, sepse bukuria e saj e përtërirë dallohet nga sjellja e civilizuar dhe marrëdhëniet shoqërore të mbushura me dashuri dhe paqe, ku të gjitha kombinohen në një pëlhurë urbane që lartësohet deri në perfeksion, në një mënyrë që mbush ndërgjegjen e njeriut me sekretet e besimit dhe dëshirat e shpirtit. Por, duhet theksuar se ndonëse shpalosja bukurisë në islam bëhet nisur nga pastërtia e shpirtit, shtëpisë, besimit, kushtet e mirësisë, një pjesë e mirë e myslimanëve bashkëkohorë nuk kanë përfituar prej saj për arsye të ndryshme. Zoti na është drejtuar me estetikë, na ka urdhëruar të udhëtojmë drejt stadeve të lartësuara të saj, të ecim drejt saj pafundësisht, derisa të na gjejë vdekja. Myslimani i zgjuar nuk duhet të lejojë të verbohet nga gabimet e disa njerëzve, sado të rënda të jenë dhe të distancohet nga bukuritë e kësaj feje. Kultura islame ka nevojë të kultivojë edukatën e të shijuarit të artit, ku ndenja e saj të marrë formë nga habitatet e së bukurës, e cila është drejtuesja e gjithçkaje në këtë fe, qoftë nga ana e besimit po ashtu edhe nga ana e praktikës. Ajo që nevojitet sot është të rilexojmë fenë nga burimet e saj, duke lidhur kështu myslimanin me Zotin e tij.

Përshtati në shqip: Fatrit Beqiri

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2