Tiranë, 24.01.2019
Departamenti i Studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, në kuadër të veprimtarive mujore, zhvilloi ligjëratën me temë “Edukimi shpirtëror dhe rëndësia e tij në jetën e individit”, ku ishte i ftuar imami i Xhamisë së Madhe të Durrësit, teologu Ervin Qylafku.
Fillimisht, nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra theksoi se AIITC kujdeset që të kontribuojë me programet e tij në rritjen kulturore dhe shpirtërore të studentëve që janë regjistruar në Departamentin Studentor. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe ligjëratat me teologët mbi tema të rëndësishme që zgjojnë te brezat e rinj besimin në Zot.
Ndërsa imami Qylafku e nisi ligjëratën e tij me dy boshtet mbi të cilat është ndërtuar qenia njerëzore, ana materiale dhe shpirtërore, të cilat duhet të ecin paralelisht për t′i siguruar individit një jetë të qetë e të plotësuar. Mirëpo, sipas tij, me zhvillimin e teknologjisë dhe dinamikën e jetës, njeriu po jepet gjithnjë e më shumë pas përfitimeve materiale, duke anashkaluar aspektin shpirtëror. Ky disnivel po ndryshon botëkuptimin dhe stilin e të jetuarit, aq sa shumë njerëz sot vuajnë nga depresioni dhe ndjenja e vetmisë, edhe pse i kanë plotësuar dëshirat dhe pasionet e tyre.
Teologu e shpjegoi këtë dukuri negative shoqërore me mungesën e edukimit shpirtëror. “Është e pranuar botërisht, se besimi në Zot dhe përkujtimi i Tij me lutje e falënderime është ilaçi më i mirë për shpirtin e njeriut. Ky është edhe qëllimi i fesë islame, ta udhëzojë njeriun drejt ushqimit të shpirtit dhe arritjes te Zoti. Niveli më i lartë i besimit është sinqeriteti në adhurim dhe në marrëdhënie me Krijuesin.” – nënvizoi ai mes të tjerash.
Ai vuri në dukje se profeti Muhamed (a.s.) ishte shembulli më i mirë i bashkëjetesës mes shpirtërores dhe materiales, prandaj ka qenë frymëzim për miliona njerëz në botë. Duke përmendur shembuj nga historia profetike, imami Qylafku solli ndërmend edhe shkollat e edukimit islam që sollën brez pas brezi metodat e pastrimit të shpirtit. Në përfundim ai theksoi se për të rinjtë e sotëm del si detyrë formimi dhe pasurimi i mendjes me dije jo vetëm shkencore, por edhe fetare, duke synuar njohjen e caqeve dhe përcaktimin e disa barrierave kundrejt veseve të këqija që e çojnë individin drejt humbjes.
Takimi studentor u shoqërua edhe me dhënien e bursave mujore për të gjithë studentët që AIITC i mbështet në rrugën e gjatë të dijes.