wrapper

Perandoria Osmane u themelua në fund të shekullit XIII, në Azinë e Vogël veriperëndimore, dhe arriti kulmin e fuqisë së saj gjatë shekujve XVI-XVII, duke u shtrirë në pjesën më të madhe të Evropës juglindore dhe qendrore, të Azisë perëndimore, Kaukazit dhe Afrikës veriore. Në 6 shekuj ajo luajti një rol të rëndësishëm në politikën botërore, duke e konsideruar veten Shtet Sublim. Madje edhe pas shpërbërjes së kësaj perandorie, të gjitha shtetet që ishin nën sundimin osman, vazhdonin ta konsideronin veten turq.

Historia e Perandorisë Osmane nisi të shkruhej që në shekullin XV, madje teksti më i vjetër ekzistues i historisë në turqisht daton rreth vitit 1412, nga poeti Ahmet.

Gjatë periudhës së sundimit të Mehmetit II, u formësua njëfarë historiografie zyrtare, e cila u zhvillua edhe më tej, gjatë kohës së Sulejmanit I. Ndërsa shekulli XX shënon një tjetër hov, ku edhe disa historianë të huaj, si Bernard Lewis, Standford Shaw apo Robert Matran, realizuan studime mjaft serioze dhe objektive mbi historinë e shtetit osman.

Kjo perandori shquhej për një organizim të mirë politik, ushtarak e administrativ. Ajo luajti një rol aktiv në fushën diplomatike dhe u bë faktor kryesor në balancën globale të superfuqive.
Gjithashtu një vëmendje e veçantë gjatë kësaj periudhe, iu kushtua misionit të shenjtë fetar dhe përpjekjes për ta ngritur të drejtën zakonore mbi bazat e Sheriatit islam.

Shteti osman kishte një koncept mjaft të përparuar për sa i përket familjes, ku poligamia nuk ishte aspak e preferuar. Nënshtetasit e perandorisë ishin të mendimit se burri në shtëpi është si shpirti në trupin e njeriut. Meqë trupi ka veç një shpirt, edhe burri duhet të ketë vetëm një familje, madje duhet të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen dhe lumturinë familjare.

Perandoria Osmane shkëlqeu edhe në fushën e artit, letërsisë, arsimit dhe shkencës. Një numër i madh dijetarësh, mësues me njohuri të thella enciklopedike, u bënë të famshëm gjatë kësaj periudhe. Në institutet e larta arsimore mësoheshin disa lloje shkencash, ndërsa periudha mes viteve 1512-1603 mund të konsiderohet si epoka e artë e letërsisë turke, me poetët Bakiu, Zatiu, Fuzuliu, Hajali Beu etj.

Osmanishtja ose turqishtja e vjetër shkruhej me alfabetin arab. Në etapat e hershme përputhej me gjuhën e thjeshtë turke, por me kalimin e kohës u bë një gjuhë artificiale dhe e përzier, si pasojë e ndërthurjes të fjalorit të persishtes dhe arabishtes me strukturat gramatikore të turqishtes.

Këto fakte interesante janë shkëputur nga botimi me dy vëllime: “Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman”, i projektuar dhe ideuar nga Prof. Dr. Ekmeleddin Ihsanoglu. Duke qenë një vepër mjaft voluminoze, u realizua falë përkushtimit të një grupi autorësh, si Prof. Dr. Feridun Emecen, Prof. Dr. Kemal Beydilli, Prof. Dr. Mehmet Ipsirli, Prof. Dr. Abdulkadir Ozkan etj.

Artikujt që përmban kjo vepër, i ofrojnë lexuesit një paraqitje objektive të historisë së periudhës osmane, të ndërtuar mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe kronikave osmane, por edhe mbi studimet e kohëve të fundit mbi këtë çështje. Si pasojë e kërkesave të shumta të lexuesve nga e gjithë bota, “Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit islam” është botuar në disa gjuhë, së fundmi edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam.

Vëllimi i parë trajton organizimin politik, historik, administrativ, ushtarak, sistemin ligjor, ekonominë dhe strukturën sociale. Vëllimi i dytë trajton jetën fetare, gjuhën, letërsinë, historinë e artit, jetën intelektuale, arsimin, shkencën etj.

Kjo vepër është një manual serioz për studiuesit dhe një burim i çmuar të dhënash për lexuesit. Ende sot në Turqi nuk është botuar ndonjë vepër tjetër e këtyre përmasave dhe e kësaj natyre.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2