wrapper

Tiranë, 14.02.2019

Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, në kuadër të ciklit “Bisedë me autorin”, zhvilloi një takim me shkrimtarin Xhevair Lleshi, autor dhe botues i dhjetëra librave artistikë, historikë e studimorë, tekste shkollore, pjesë teatrore, përkthime etj. Të pranishëm në këtë bisedë ishin studentë e studente, pjesë të programeve mbështetëse që AIITC zhvillon për këtë grupmoshë.

Takimin e çeli nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra, i cili bëri një prezantim të shkurtër të personalitetit të shkrimtarit Xhevair Lleshi, duke vënë në pah dhuntinë e tij krijuese si romancier, por edhe profesionalizmin në fushën studimore e pedagogjike. Ndërsa autori Lleshi e nisi rrëfimin me ngjarje mjaft mbresëlënëse nga fëmijëria e hershme, duke përçuar te studentët mesazhin, se etja dhe dëshira për të lexuar dhe për të zgjeruar dijet ngjizet që në familje e më pas në shkollë.

Ai i mëshoi faktit se të rinjtë duhet të zgjedhin vetë atë që duan të lexojnë dhe jo të joshen nga botime pa vlerë që i përkasin letërsisë së konsumit. Por në një treg kaotik, ku ofrohen mijëra tituj librash, të rinjtë ndihen të çorientuar, ndaj ai këshillon që ta nisin leximin me klasikët e mëdhenj botërorë që kanë bërë historinë. Sipas tij, pa njohur Tolstoin, Floberin, Pushkinin, Markezin, Çehovin, Pirandelon etj., nuk mund të njohësh letërsinë moderne bashkëkohore.

Por edhe mënyra se si i qasesh një vepre letrare, sipas shkrimtarit Lleshi, është një art më vete, sepse mund ta lexosh një vepër pa u thelluar në të, pa ndier emocionet dhe pa kuptuar mesazhin që ajo përcjell. Ndaj studentët nuk duhet të bien në këtë nivel, por ta shijojnë eksperiencën e të lexuarit, duke përfituar shumë prej saj. Vetëm kështu do të shtohet etja e tyre për dije dhe për letërsi të mirëfilltë.

Një prej sugjerimeve të tij ishte edhe që të rinjtë të frekentojnë sa më shumë teatrin, kinemanë apo operan, pasi aty mund të gjejnë frymëzimin e duhur për të zgjeruar më tej diapazonin e tyre kulturor. Xhevair Lleshi vazhdon të jetë mjaft aktiv në fushën e botimeve. Me përkushtim drejton prej vitesh Shtëpinë Botuese “UEGEN”, duke sfiduar vështirësitë e tregut të librit, përmes botimeve mjaft cilësore. Aktualisht ka ndër duar një vepër me 12 vëllime të “Historisë së Letërsisë Botërore” që pritet të botohet së shpejti. Veprat e tij kanë një ndikim të madh në edukimin e brezave të rinj, sepse ato përçojnë vlera, kulturë dhe dije.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2