wrapper

Arti është forma më e lartë njerëzore e shprehjes dhe më e çuditshme e të menduarit. Në art, fjalët janë të tepërta pasi ajo që ka rëndësi është perceptimi i tij në forma të ndryshme nga njerëz të ndryshëm. Arti arrin të thotë shumë edhe përmes heshtjes. Në fund të fundit, thelbi i artit është formimi i një imazhi të dukshëm, për të zbuluar një realitet të padukshëm.

Ky është me pak fjalë boshti nëpër të cilin thuret libri filozofik i autorit Edison Çeraj me titull "Kërkime në metafizikën e artit", me të cilin Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilloi ditën e premte, dt. 30.01.2015, takimin e parë të ciklit "Bisedë me autorin".

Gjatë një pasditeje me piktorin, shkrimtarin dhe pedagogun e Akademisë së Arteve Edison Çeraj, studentët anëtarë të "Klubit të librit" u njohën në mjediset e Librotekës së AIITC me përvojën e autorit në fushën e artit pamor, letërsisë por edhe në fushën e filozofisë.

Takimin e hapi nëndrejtori i AIITC Alban Kodra, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe u prezantoi shkurtimisht Librotekën e Institutit, aktivitetin e organizuar dhe autorin. Më tej tryeza u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, ku të pranishmit dhanë mendimet e tyre rreth librit, ndërsa autori shpjegoi disa nga çështjet kryesore që trajton ky botim.

Ai theksoi se për realizimin e librit, e mori pikënisjen nga eseja filozofike "Origjina e veprës së artit" e filozofit gjerman Martin Hieddeger. Në shpjegimet e tij, z. Çeraj sqaroi raportin mes artit, metafizikes dhe botëkuptimit. Ndër të tjera nënvizoi se botëkuptimi luan rol thelbësor në ndryshimin e artit midis kulturave të ndryshme dhe se arti nuk kuptohet por përjetohet, sepse burimi i tij është shpirti.

Më tej autori u përqendruar në artin islam, i cili zë një vend të veçantë në veprën e tij, si një model sui generis në dëshmimin e metafizikës. Sipas tij, arti europian kërkon të vërtetën, ndërsa arti islam e dëshmon atë. Pikëpamjen e tij z. Çeraj e ilustroi duke sjellë si shembull arkitekturën, të cilën e cilësoi artin më të mirë islam që përfaqëson bipolaritetin e fesë islame, sintezën mes materiales dhe shpirtërores.

Në përgjigje të pyetjeve të shumta që erdhën nga të pranishmit, z. Çeraj e mbrojti pikëpamjen e tij se arti ka burim hyjnor dhe hodhi poshtë çdo interpretim materialist të këtij fenomeni.

Në mbyllje, Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC Dr. Faruk Borova u uroi suksese të mëtejshme autorit, aktivitetit dhe të rinjve studentë që morën pjesë në të, duke i ftuar të frekuentojnë rregullisht Librotekën e AIITC për literaturën e veçantë që ajo ofron. Antarëve të Klubit të Librit" iu dhuruan edhe disa nga botimet më të fundit të AIITC.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2