wrapper

Në kuadër të aktiviteteve kulturore - artistike të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), Libroteka e AIITC mbrëmjen e së premtes, më dt. 06. 03. 2015 zhvilloi ciklin e dytë të takimeve "Bisedë me Autorin" në ambientet e Bar Hilton. Poezia "Arti i të shprehurit" ishte tema e diskutimit me të ftuarin e kësaj mbrëmje poetike, autorin e njohur z. Alban Bala.

Mbrëmjen e çeli z. Alban Kodra, i cili përshëndeti të pranishmit në emër të drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit islam Dr. Ramiz Zekaj dhe falenderoi autorin që iu përgjigj ftesës për të marrë pjesë në këtë takim. Më tej fjala i kaloi z. Bala i cili krijoi një atmosferë e të veçantë, kur me çiltërsinë e një artisti bisedoi për poezitë dhe për jetën e tij, duke krijuar një komunikim të ngrohtë me të pranishmit.

Në këndvështrimin e tij, arti poetik, ashtu si arti në përgjithësi, është i pakohshëm dhe si i tillë nuk është krijim, por është rindërtim i një kujtese rreth hyjnores që mbart në vetvete çdo njeriu, por që artistët mund ta shprehin përmes veprimtarisë të tyre artistike me dhuntinë që u ka falur Krijuesi. Më pas ai shpjegoi lidhjen e autorit me lexuesin dhe u shpreh se çdo lexues është autor i poezisë që lexon, sepse i jep asaj interpretimin e tij, e përjeton atë në mënyrën e vet; e për rrjedhojë nuk ka autor të keq.

Mes të tjerash poeti foli për disa nga llojet e poezive, siç janë poezia cerebrale e cila vë në lëvizje mendimin, poezia lirike e cila vë në lëvizje ndjenjat dhe përjetimin, duke i ilustruar ato me interpretime të arrira nga poezitë e tij të përzgjedhura.

Më pas takimi vijoi me një bashkëbisedim mes autorit dhe pjesëmarrësve. U ngritën çështje të ndryshme si: raporti mes të menduarit, frymëzimit dhe rrethanave në krijimin e një poezie, ndikimi i globalizmit në dobësimin e gjuhës shqipe, ndikimi i internetit etj.. Disa nga të pranishmit recituan poezi që u kishin pëlqyer prej krijimtarisë poetike të autorit.

Në fund ai dhuroi nga një kopje të librit të tij me poezi "Dashuria e Burrit", ndërsa fjalën e mbylljes e mori Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC Dr. Faruk Borova i cili e përshëndeti dhe e përgëzoi dhe poetin për atmosferën e krijuar. Gjithashtu falënderoi të pranishmit duke u uruar suksese.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2