wrapper

Në kuadër të aktiviteteve kulturore-artistike të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam në ambjentet e librarisë Tirana Times, Libroteka e AIITC dje më datë 3 Qershor organizoi ciklin e tretë të takimit "Bisedë me Autorin".
"Arti letrar socrealist dhe post-socrealist" ishte tema e diskutimit që u trajtua në takimin e konceptuar në formën e tryezës së rrumbullakët, ku lexuesit u ulën me shkrimtarin dhe profesorin Agron Tufa i cili ndau me ta fatin e letërsisë shqipe dhe ndryshimet që ndodhen me të nga periudha socialiste në atë të postkomunizmit.

Takimin e çeli nëndrejtori i AIITC i cili njohu pjesëmarrësit e rinj të takimit me natyrën e Institutit por edhe me veprimtaritë që ajo kryen në shërbim të lexuesit. Ai shtoi se dashamirësve të librit pranë AIITC u ofrohet dije përmes një sërë aktivitetesh dhe veprimtarish. Ndër shërbimet dhe lehtësitë që lexuesit i ofrohen përmes Librotekës së AIITC është edhe zhvillimi i takimit "Bisedë me autorin".

Pas fjalës hapëse së nëndrejtorit i cili i uroi mirëseardhjen autorit Tufa, ky i fundit në temën e diskutuar theksoi se letërsia shqipe, në përmasën e saj sociologjike të hyrjes në komunikim, ka "moshën e shtetit" shqiptar. Ajo ka hyrë në komunikim tepër ngadalë, në fillim si produkt letraro-publicistik, me theks patriotik, në shtypin dhe fletoret e shoqërive kulturore - atdhetare të qyteteve të ndryshme të Ballkanit dhe pjesëve të ish-Perandorisë Otomane dhe vetëm pak shoqëri që vepronin në territorin e sotëm të qyteteve tonë, kryesisht në Shkodër. Momentin e saj më të mirë të komunikimit kultura letrare shqiptare e ka prekur në të hyrë të shekullit XX në gazetat "Albania" dhe, më vonë, "Dielli", që dilnin në emigrim.

Ndër të tjera ai përmendi rrezikun e depërtimit të bolshevizmës në letërsinë shqipe të cilën e pati vërejtur që në vitin 1926 Hafiz Ali Korça, që në një katrenë të rimuar të veprës së tij "Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit" paralajmëron: Bolshevizma s'pajton kurrë/ me dinin e Muhamedit/ çelur luftën do ta ketë/ der në ditën e kiametit".
Sipas studiuesit të njohur, fill pas luftës së dytë Botërore, e madje edhe gjatë saj, ndodhi ajo së cilës i trembej Hafiz Ali Korça: për një gjysmë shekulli letërsinë shqiptare e mbulon nata e zezë e realizmit socialist.

Letërsia e realizmit socialist lindi në Bashkimin Sovjetik dhe u bë kështu metoda sunduese artistike, duke shfarosur çdo alternativë rivalizuese. Realizmi socialist i ka rrënjët në traditat realiste e neoklasike të letërsisë ruse të shek XIX, ku përshkruhej jeta e njerëzve të thjeshtë. Babai i këtij stili konsiderohet Maksim Gorki dhe me novelën e tij "Nëna" ai dha emrin këtij stili. Si metodë doktrinale e kodifikuar në BRSS në vitin 1930, pasi kishte likuiduar në atë vend të gjitha grupimet, rrymat, shkollat dhe orientimet e tjera moderniste e avangardiste, të cilat patën një lulëzim të paparë në kulturën ruse të pararevolucionit, ajo u imponua dhunshëm në Shqipëri paralel me instalimin e diktaturës komuniste. Pra, nuk ishte rezultat zgjedhjeje i një lirie artistike.

Në këndvështrimin e autorit, socrealizmi qe sëmundja kanceroze që e gjeti kulturën letrare shqiptare në momentet e saj të një ngritjeje artistike. Socrealizmi nuk erdhi natyrshëm por ishte si një "mish i huaj" që e përçudnoi letërsinë shqipe deri edhe në folklorin shqiptar. Dihet tashmë, që fati i realizmit socialist/socrealizmit qe i kushtëzuar me superstrukturën ideologjike të pushtetit komunist, të cilit ai i shërbeu, duke qenë një instrument i madh propagandistik. Por me rënien e diktaturave totalitare dhe me ndërrimin e sistemeve politiko-ideologjike, nuk ka marrë fund asgjë, sepse ne gabohemi nëse pandehim rrëzimin formal të komunizmit si fitore mbi të. Shumë e rëndë është kufoma e të vdekurit të pakallur se sa vdekja vetë. Dhe vështirësia më e madhe pas rrëzimit formal të një diktature moniste është padyshim, trashëgimia e saj. Trashëgimia e saj është ajo "kufoma e patretshme", që moleps ajrin, ujin, mendimet, sistemin e arsyetimit apo tipologjinë e të menduarit, sikundërse tërë sistemin e ndjeshmërisë dhe afeksioneve.

Pas fjalës së autorit u ngritën një sërë pyetjesh rreth temës së realizmit socialist dhe më gjerë. Pyetjes se nëse sot është ngritur apo jo roli i letërsisë shqipe, autori ju përgjigj duke thënë se sot akoma funksionon Shoqata e Botuesve Shqiptare me atribute thuajse të njëjta me Lidhjen e dikurshme të Shkrimtarëve dhe artistëve. Për Letërsinë shqipe janë ata, që do të vendosin se Kush do të jetë Kush. Ne sot kemi një promovim të orientuar dhe telekomanduar të yjësisë brenda gjirit të ish-partisë.

Në fund të takimit anëtari i bordit drejtues së AIITC dr. Faruk Borova falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe mes të tjerash nënvizoi se të gjithë tashmë duhet të jemi të lumtur që dolëm nga ai sistem totalitar komunist që edhe artin, si gjithë fushat e tjera, e degradoi dhe e përdori për qëllime propagandistike.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2

 

Template Settings

Color

For each color, the params below will give default values
Blue Green Red Radian
Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family