wrapper

Tiranë, 28 janar 2016

Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), zhvilloi në ambientet e Hotelit "Mondial" seminarin me temë: “Sfidat e studentit drejt Ekselencës”, drejtuar nga sociologu dhe pedagogu i mirënjohur prof. dr. Zyhdi Dervishi.

Në hapje të seminarit, përgjegjësia e Librotekës së AIITC, znj. Afërdita Hyseni falenderoi studentët pjesëmarrës. Ajo theksoi rëndësinë që i kushton ky sektor i Institutit përgatitjes diturore të brezave të rinj, nëpërmjet organizimit të seminareve të ndryshëm, workshopeve, kurseve të trajnimit dhe mbështetjes me bursa mujore.

Prof. Dr. Dervishi iu drejtua studentëve pjesëmarrës se investimi më i mirë për një shoqëri, është investimi në fushën e shkencës. Ai u bëri atyre një përshkrim historik të rolit të Ekselencës, brez pas brezi, jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë. Ndër të tjera theksoi se dijetarët muslimanë shekuj më parë kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në Europë, i cili ekziston dhe ruhet dhe në ditët e sotme.

Gjithashtu, ai përmendi dhe figurat e njohura shqiptare, që kanë dhënë një kontribut në fushën e gjuhësisë, siç është Ernest Koliqi, duke e quajtur atë, mjeshtër i origjinës së pastër të gjuhës shqipe. Në fjalën e tij prof. Dervishi theksoi se dijes dhe e ruajtjes së shkallës së diturisë u është dhënë vlera më shumë në vitet e komunizmit sesa pas viteve 85-së.

Këtë e dëshmoi duke sjellur një shembull nga karriera vet, i cili prej vitit 1982 është pedagog pranë Universitetit të Tiranës, duke punuar edhe si vullnetar në vlerësimin e studentëve ekselentë. Aty vuri re se anëtarë të tjerë të komisionit vlerësonin prejardhjen e studentit më shumë se sa njohuritë e tij. Ky vlerësim jo dinjitoz e shtyu profesorin të mos jetë vlerësues i studentëvë të Ekselencës, sepse sipas tij, ne duhet t’i japim vlera njeriut dhe jo ta shtypim duke mos e afirmuar.

Gjatë leksionit të tij prof. Dervishi ftoi studentët të drejtojnë pyetjet që ata dëshirojnë. Me anë të pyetjeve të tyre, ata theksuan se shpesh herë ndeshen me pedagogë jo të nivelit të Ekselencës, madje shumë më poshtë dhe jo pa qëllim ndodh që të prodhojnë studentë të po atij niveli. Reagimi ishte i njëjtë dhe nga ana e prof. Dervishit, i cili theksoi se këtë problem e ka ndeshur dhe shpreson, që pikërisht brezi i ri të rritet me një frymë, që dijen ta përqafojnë jo se do kenë një rrogë të mirë, por që me të t'i shërbejnë kombit dhe ta çojnë atë drejt përparimit. Sepse një vend përparon vetëm me anë të nivelit të lartë kulturor dhe shoqëritë duhet të ngrihen në bazë të vlerave të hierarkisë.

Pas diskutimit të lirë mes studentëve pjesëmarrës dhe ligjëruesit, fjalën e mori Kryetari i Bordit të AIITC, Dr. Faruk Borova. Ai shprehu përgëzime ndaj studentëve për pyetje e sinqerta dhe të drejtëpërdrejta ndaj problematikave që ata hasin në auditorët e universiteteve tona. Në fjalët i tij i motivoi studentët që të mbrojnë të drejtat e tyre dhe të mos heshtin ndaj padrejtësive, por të reagojnë menjëherë me zërin e tyre në mënyrë qytetare. Sipas tij, vetëm kështu ky vend do të lulëzojë, sepse aty ku arsimi zhvillohet dhe vlerësohet siç duhet, frytet do të jenë të përhershme.

Në mbyllje të seminarit, prof. Dervishi u uroji suksese studentëve dhe i falenderoi për bashkëbisedimin sa miqësor, aq edhe të drejtëpërdrejtë.
Studentëve pjesëmarrës iu dhurua nga fondi i Librotekës së AIITC nga një kopje të librit “Jemi andej nga fundi”, me autor z. Zog Hysenaj.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2