wrapper

 

“Njeriu modern duhet të lexojë më shumë libra, që ta zhvillojë fantazinë dhe të mos bëhet rob i teknologjisë, sepse kështu ruan ndjeshmërinë dhe natyrën e tij njerëzore”. Ky ishte një nga mesazhet e shumta që përcolli shkrimtari dhe shkencëtari sirian dr. Taleb Omran në takimin e radhës të ciklit “Bisedë me autorin”.

Ndryshe nga herët e tjera, Libroteka e AIITC u dhuroi lexuesve të saj mundësinë për të bashkëbiseduar me një shkrimtar të huaj, i njohur si një nga pionierët e letërsisë fantastiko-shkencore në botën arabe. Takimi me të u zhvillua në Amfiteatrin e AIITC. Aty morën pjesë studentë dhe intelektualë të ndryshëm. Në hapje, nëndrejtori Alban Kodra përcolli përshëndetjet e Drejtorit të Institutit, Dr. Ramiz Zekaj dhe bëri një prezantim të shkurtër të autorit. I lindur në Siri në vitin 1948, Taleb Omran është laureuar doktor për gjeometri diferenciale dhe astronomi nga Universiteti i Aligarh në Indi. Megjithatë, pasionin e tij për shkencën ai e shkriu me pasionin për letërsinë, duke prodhuar një nga letërsitë më të mira fantashkencore në vendin e tij e më gjerë.

Dr. Omran Talib e filloi bisedën, duke bërë një historik të shkurtër të zhanrit fantastiko-shkencor. Ai përmendi se ky zhanër i ka fillesat me veprën letrare “Histori e vërtetë” të shkrimtarit të lashtë Lucian nga Siria. Pastaj përmendi një seri veprash të autorëve mesjetarë muslimanë, të cilat mund të konsiderohen të këtij zhanri, siç janë: “Qyteti i virtytshëm” i Farabiut, “Letra e faljes” e poetit Ebu-l Aëla el-Ma’arri etj. Ndërsa theksoi se ky zhanër mori hov në mesin e shek. XIX dhe shkëlqeu me shkrimtarë të tillë si Zhyl Verni, H. G. Uells etj.

Më pas dr. Omran përshkroi shkurt lidhjen e tij me këtë lloj letrar. “Që i vogël lexoja shumë, aq shumë saqë fëmijëria ime qe shumë e shkurtër. Kjo bëri që tek unë të krijohej një bagazh i madh njohurish, të cilat më pas më ndihmuan të shkruaj. Fillimisht e nisa me poezi, pastaj shkrova një tregim të shkurtër fantastiko-shkencor” – tha mes të tjerash. Ai rrëfeu se si mes përkushtimit dhe vështirësive arriti të bindte botues të ndryshëm, derisa nxori në qarkullim mbi njëzet romane dhe dhjetëra tregime fantastiko-shkencore përgjatë 40 viteve.

Ndërsa më 2007-ën themeloi Lidhjen e Shkrimtarëve Arabë të Fantashkencës, të cilën vazhdon ta kryesojë. Duke shpjeguar shtysat që e nxitën të merrej me letërsinë fantashkencore, ai tha se bagazhi i njohurive që merr njeriu në jetë e frymëzon atë të shprehet për të ardhmen. “Këto parashikime nuk janë profeci, por përfundime që nxirren nga analizimi i kushteve dhe rrethanave të ndryshme, nën dritën e njohurive shkencore” – shtoi ai.

Në vështrimin e tij, letërsia fantastiko – shkencore ndahet në dy llojesh: në letërsi serioze dhe në fantazi. Karakteristika e së parës është se ajo ka në qendër njeriun dhe shqetësimet e tij për të ardhmen. Ndërsa karakteristika e së dytës është se ajo përmban hiperbolizime, fantazi dhe teprime për qëllime argëtimi. “Me keqardhje them se në botë mbizotëron letërsia e llojit të dytë. E njëjta situatë vlen edhe për botën arabe” – tha autori.

Në shkëmbimet e shumta që pati me të pranishmit, shkrimtari theksoi rëndësinë e vënies së një ekuilibri midis kënaqësisë dhe arsyes, me qëllim që njeriu ta jetojë jetën natyrshëm. “Në qoftë se kënaqësia e mbizotëron arsyen, produkt i saj është njeriu mendjengushtë, i cili synon që mendimin e tij t’ua imponojë të tjerëve me çdo mjet.

Është pikërisht ky një nga rreziqet më të mëdha që i kanoset njerëzimit. Ilaçi i kësaj situate është vetëm lidhja me librin, me leximin, me diturinë.” Ishte ky një nga mesazhet mbyllëse të takimit. Më pas të pranishmit i falënderoi Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC dr. Faruk Borova, i cili i ftoi ata t’i vazhdonin bisedat në koktejin e shtruar me këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2

 

Template Settings

Color

For each color, the params below will give default values
Blue Green Red Radian
Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family