wrapper

Tiranë, 26 mars 2016

Në kuadër të ciklit “Bisedë me autorin”, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) organizoi në mjediset e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar takimin me shkrimtarin Kim Mehmeti, rreth krijimtarisë së tij artistike e në veçanti, rreth romanit të tij “Shpërngulja e të vdekurve”. Në takim morën pjesë lexues të Librotekës së AIITC, studentë, intelektualë dhe dashamirës të autorit.

Duke folur mbi romanin e tij, Mehmeti theksoi se identitetin kombëtar shqiptar në Maqedoni e shpëtoi besimi islam dhe gruaja shqiptare. Sipas tij, mbrujtja me gjuhën shqipe dhe besimin islam arriti të mbajë gjallë identitetin e kompletuar shqiptar. “Unë kam dashur të ndërtoj një përmendore për këto heroina. Unë i kam adhuruar nënat, femrat dhe gratë tona, sepse ne meshkujt e jetonim jetën e tyre. Ato nuk kishin jetë. Ishin të paarsimuara. I mbyllnim në shtëpi. Ato nuk guxonin t’i gëzoheshin martesës dhe jetës së tyre. Kjo është flijim për popull, flijim i skajshëm për të mbijetuar për popullin shqiptar”, - u shpreh Mehmeti.

Mes të tjerash ai u tregoi të pranishmëve rrugëtimin e tij si shkrimtar, duke theksuar se e kishte nisur vonë këtë rrugë. Sipas tij, ai që e kishte nxitur në këtë rrugë ishte pikërisht mësuesi i vet, që e kish detyruar të lexonte libra në vijimësi, sepse kishte vërejtur tek ai aftësitë krijuese, por që deri atëherë nuk ishin lëvruar. “Është e rëndësishme të lexosh, sepse aftësitë dhe dhuntinë që ta ka falur Zoti, nuk e zbulon dot po nuk lexove”, - ishte ky një mesazh i autorit për studentët e pranishëm.

Nga të pranishmit pati shumë komente, pyetje e diskutime. Regjisori Astrit Hykaj shprehu mbresat e thella që i kishte lënë leximi i romanit “Shpërngulja e të vdekurve”, figura e gjyshes shqiptare që me mençurinë dhe durimin e saj gatoi dhe ruajti traditën shqiptare.

Nga ana e tij, Drejtori i AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, theksoi se në letërsinë e tij, shkrimtari Kim Mehmeti ka ruajtur unin e kombit shqiptar. “Kim Mehmetin e kam ndjekur që në shkrimet e tij të hershme, por edhe më vonë kur filloi të paraqitet me analiza kritike ndonjëherë si disident, ndonjëherë si rebel, jo vetëm në fushën e letërsisë por edhe të një analize që u bën shumë çështjeve dhe zhvillimeve që ka kombi ynë në kapërcyllin e viteve 90-2006, ku në kritiken e pendës së tij nuk ishte vetëm letërsia, por edhe shumë çështjeve e zhvillime nga politika, dhe përditshmëria kombëtare në përgjithësi. Veprimtaria e tij kulturore e kombëtare në Maqedoni është treguesi më i mirë se shumë nga vlerat tona kulturore e patriotike të pastra shqiptare ndonjëherë i kemi të ruajtura më së miri në skajet e trojeve tona. Ndaj ne duhet t’i gjurmojmë ato, dhe t’i sjellim në auditore të qyteteve e metropoleve ku jetojnëshqiptarët. Kimi në veprimtarin e tij shumplanëshe si në letërsi e kudo ka ruajtur më së miri unin shqiptar, të lidhur gjithmonë metraditën e kombit tonë. Kjo është vlera më e madhe që ai na sjell edhe sot me romanin e tij 'Shpërngulja e të vdekurve'”, - theksoi dr. Ramiz Zekaj.

Ndërkaq studiuesi Agim Baçi e cilësoi shkrimtarinë e Kim Mehmetit si një vlerë reale të letërsisë, duke mundur ta mbajë të pastër, larg klisheve të modernitetit. “Kimi njeh njeriun. Letërsia ka rëndësi për atë që i drejtohet. Shpërngulja e të vdekurve ka të bëjë me të shkuarën tonë, me të shkuarën që i përket edhe së nesërmes tonë. Kimi ka arritur të ndërtojë Makondon e Markezit. Ka ndërtuar fshatin poetik. Aty luan njeriu me raportin e pashmangshmes. Kimi nuk ka rënë pre e modernizmit për ta parë me të gjitha pikëpyetjet e tij. Kimi ka shkruar për njeriun me të gjitha vlerat e tij”, - shpjegoi studiuesi Agim Baçi.

Në fund të takimit pjesëmarrësve iu dhurua nga një kopje nga romani i autorit, me të cilin paten mundësinë të vazhdojnë bisedën në koktejin e shtruar me këtë rast.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2