wrapper

Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) çel një nismë të re për vitin 2016. Projekti i quajtur “Bibliotekat thesar i diturisë” ka si synim të ndihmojë në pasurimin e bibliotekave të vogla në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Nëpërmjet kësaj nisme, Libroteka e AIITC fton çdokënd, qoftë individ apo institucion, që të kontribuojë me libra të fushave të ndryshme. Pasi grumbullohen e klasifikohen, një herë në muaj këto libra shpërndahen nëpër biblioteka të ndryshme të vendit, sipas nevojave të tyre.


Këtij projekti i janë bashkuar për muajin shkurt personalitete të shquara, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në dijen dhe kulturën shqiptare. Ndër ta është studiuesi Ibrahim D. Hoxha, autor i mbi 20 veprave historike, i cili me dashamirësi dhuroi rreth 50 tituj librash nga biblioteka e tij personale. Profesori i shquar i pedagogjisë prof.dr. Musa Kraja, autor i shumë veprave në fushën e arsimit dhe më gjerë, dhuroi nga biblioteka e tij rreth 35 tituj librash. Ndërsa historiani Prof. Muharrem Dezhgiukontribuoi, duke dhuruar rreth 30 tituj librash të fushave të ndryshme.

Vetë Libroteka e AIITC ka vënë në dispozicion të këtij projekti rreth 1000 tituj dhe dita – ditës e shton fondin e projektit, krahas pasurimit të fondit të saj.


Më 22 shkurt 2016, projekti nisi zbatimin me gjimnazin “Aleksandër Moisiu”në Kavajë, duke i dhuruar 50 tituj librash bibliotekës së tij. Drejtoresha e gjimnazit znj. R. Hyka mori në dorëzim librat e dhuruar në prani të disa nga nxënësit e saj. Ajo shprehu mirënjohjen e saj dhe e çmoi këtë kontribut, i cili do të trashëgohet nga një brez në një brez tjetër.

Libroteka e AIITC do të vazhdojë më tej në pasurimin e bibliotekave të tjera anë e mbanë Shqipërisë, me qëllim shtrirjen dhe zgjerimin e dijes tek çdo qytetar shqiptar.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2