wrapper

“Rubairat” e famshme të orientalistit persian Omar Khajam, liriku magjepsës i vendit të trëndafilave, kanë qenë frymëzim për autorin Roald Hysa, i cili ishte i ftuar në takimin “Bisedë me autorin”, të organizuar nga Libroteka AIITC, me vëllimin e tij poetik “Katrorë”.

Takimin e hapi nëndrejtori i AIITC Alban Kodra, i cili renditi objektivat e Librotekës së AIITC në organizimin e eventeve të tilla letrare me lexuesit e saj dhe me studentët që janë pjesë e programeve edukative të AIITC. Më pas ai lexoi fjalën e pedagogut Edvin Cami, njohës i poezisë orientale, i cili thekson se që në titullin e librit, autori mundëson që lexuesi të fantazojë e ta rindërtojë kornizën e imazhit të vet mbi “katrorët” perso-osmanë, duke zgjuar përfytyrime në aktualitet.

Në fjalën e tij autori Roald Hysa theksoi se secila prej poezive të tij 4-vargëshe përçon një ndjesi të papërsëritshme. Tematikat që trajtojnë ato, janë një gërshetim mjaft i goditur, mes adhurimit të Zotit dhe gëzimit për jetën, por, nga ana tjetër, edhe të luftës së përhershme me të këqijat njerëzore e shoqërore, duke përdorur armën e ironisë dhe të qesëndisë, të satirës e të sarkazmës.

Sipas Roaldit të gjitha poezitë janë përjetime e ndjesi përgjatë 8 viteve të jetës së tij (2008-2016). Libri është i ndarë në tri pjesë, ku pjesa e parë titullohet “Ab initio” ose Fillimi i një vepre, tematika e poezive këtu është e përgjithshme. Pjesa e dytë “Ilham” ose Frymëzim shpirtëror, që i dedikohet dashurisë ndaj Zotit, pasi është Zoti Ai tek i Cili kthehet gjithçka, ndaj Atij duhet t′i jemi falënderues. Ndërsa pjesa e tretë titullohet “U...” që ka të bëjë me unin e vetë poetit dhe ndjesitë e tij.

Ndërsa kryetari i bordit drejtues Faruk Borova përgëzoi autorin Roald Hysa për guximin e treguar në përzgjedhjen e 4-vargëshit oriental, duke trajtuar tematika mjaft aktuale. Sipas tij ky vëllim poetik është mjaft interesant dhe do të shërbejë edhe si një shtysë apo orientim për studentët, drejt krijimtarisë së tyre letrare.

Autori ishte i hapur edhe ndaj pyetjeve të të pranishmëve dhe interesit të tyre, lidhur me këtë vëllim, por edhe për krijimtarinë e tij në tërësi. Ai dha edhe disa këshilla mbi orientimin e të rinjve në leximin e veprave me të vërtetë cilësore.

Roald Hysa njihet si gazetar, redaktor dhe analist në disa media të shkruara e vizive. Ai është autor i disa librave, kryesisht studimorë, si “Vështrime nga e kaluara, në të ardhmen”; “Sundimtarë të mëdhenj muslimanë”; “Mediat e shkruara dhe muslimanët shqiptarë” dhe “Historiku i xhamisë qytetëse në Shqipëri - Xhamitë e Tiranës I”. Aktualisht vazhdon të botojë shkrime analitike në disa të përditshme, revista apo periodikë.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2