Rritja e kërkesës së lexuesve gjatë verës, për të tërhequr libra pranë bibliotekave të lagjeve, ka sjellë nevojën e pasurimit të tyre me tituj të rinj librash. Në kuadër të projektit “Bibliotekat, thesar i diturisë”, Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dhuron nga fondi i saj i artë dhe i larmishëm, vepra të gjinive të ndryshme për institucione publike e private, në disa qytete të vendit.
Gjatë këtyre ditëve stafi i Librotekës AIITC vizitoi bibliotekën e Kombinatit në Tiranë, që i përket njësisë bashkiake nr. 6, e cila sapo është rinovuar. Kjo “shtëpi e librit” tashmë është shumë komode dhe funksionale, në shërbim të çdo lexuesi. Ajo është pasuruar në mënyrë vullnetare nga dhurues të ndryshëm, nismë së cilës iu bashkëngjit edhe projekti i Librotekës AIITC. Literatura e dhuruar u përkiste zhanreve të tilla si: kulturë, shkencë, letërsi, histori etj., duke iu përgjigjur shijes së çdo kategorie lexuesish.
Përgjegjësja e Bibliotekës Kombinat, znj. Mirela Gjata, shprehu mirënjohjen e saj për kontributin tone që, sipas saj ka një vlerë të madhe për lexuesit të cilët sa vijnë e shtohen. Ajo shprehu interesin për titujt e dhuruar, duke theksuar se i mungonin fondit të kësaj biblioteke dhe se do të priten me mjaft interes nga lexuesit.
Projekti i Librotekës AIITC do të vazhdojë, duke pasur si qëllim pasurimin e shpirtit dhe mendjes me dije, sidomos për fëmijët dhe moshat e reja. Nëpërmjet kësaj nisme, Libroteka e AIITC fton çdokënd, qoftë individ apo institucion, që të kontribuojë për shtimin e fondit të librave në bibliotekat e vogla të gjithë qyteteve në Shqipëri.