wrapper

Tiranë, 28. 06. 2018

Në kuadër të projektit “Shtëpia e librit”, muaji qershor ka sjellë mjaft vizitorë në Librotekën AIITC, të interesuar për botimet shkencore, historike, kulturore e fetare, pjesë e fondit të pasur të saj. Së fundi, përgjegjësja Afërdita Hyseni mirëpriti lexues të vegjël, të moshave të ndryshme, të cilët ishin të shoqëruar nga prindërit e tyre. Ata vizituan ambientet e Librotekës AIITC, ku u informuan mbi rregullat e përgjithshme, kryesisht me procedurat që duhen ndjekur për huazimin e një libri, si dhe u njohën nga afër me shërbimet e ofruara dhe shumëllojshmërinë e librave dhe botimeve të saj.

Gjatë bashkëbisedimit me përgjegjësen Hyseni, u vu theksi te rëndësia që ka në ditët e sotme kthimi i vëmendjes te libri, pasi brezi i ri dita-ditës po i largohen leximit të veprave jashtëshkollore, për shkak të internetit dhe rrjeteve sociale. Fëmijët shprehën interesin dhe dëshirën për t′u bërë ndjekës të rregullt të kësaj Libroteke, duke huazuar libra të zhanreve të ndryshme. Prindërit e fëmijëve që vizituan Librotekën AIITC, falënderuan Institutin për mundësinë që i ofron brezit të ri, për të zgjeruar njohuritë e tyre nëpërmjet librit, si një dritare gjithnjë e hapur drejt diturisë.

Në fund të takimit vizitorëve të vegjël iu dhuruan disa prej librave, botime të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, konkretisht disa prej numrave të revistës për fëmijë “Foleza jeshile” si dhe libri “My beloved Prophet” (Profeti im i dashur), botime për të cilat vetë fëmijët shfaqën mjaft interes. Libroteka AIITC, përmes projektit “Shtëpia e librit”, do vazhdojë të jetë në funksion të lexuesve, sidomos fëmijëve dhe të rinjve të interesuar, me literaturën e saj të larmishme dhe cilësore.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2