wrapper

Tiranë, 20.10.2018

Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Islame (IIIT) dhuroi për Librotekën AIITC disa vepra mjaft interesante nga autorë të ndryshëm, kryesisht studiues dhe akademikë me famë ndërkombëtare. Librat në gjuhën angleze ishin kryesisht studime apo përmbledhje leksionesh të botuara nga Instituti i Studimeve Objektive (IOS), me qendër në New Delhi të Indisë. Ky institut ka si qëllim promovimin e kërkimit shkencor dhe botimin e librave ku trajtohen çështje sociale me interes global.

Nga fondi i librave të dhuruar, vlen të përmendim botimin me titull “100 Great Muslim Leaders of the 20 century”, mes të cilëve, Haxhi Hafiz Sabri Koçi është vlerësuar si një ndër 100 udhëheqësit myslimanë më të mëdhenj të shekullit XX. Në libër përshkruhet, shkurt dhe qartazi, se si e ringriti ai fenë islame në Shqipëri, pas rënies së diktaturës komuniste.

Një tjetër titull interesant është edhe: “Harmony Among Faiths and Civilizations” i autorit Madan Mohan Verma, kryetar i Institutit të Studimeve të Avancuara dhe Edukimit në Indi. Ai është një ndër personalitetet me më shumë influencë në fushën e edukimit ndërfetar të brezave të rinj, jo vetëm në Indi, por në të gjithë botën. Libri ka si synim kryesor promovimin e harmoninë mes besimeve dhe qytetërimeve.

Pjesë e fondit të dhuruar ishin edhe botimet:

 “Empowerment of Muslims Through Education”, me autor Prof. Akhtar Siddiqui, një studim mjaft cilësor mbi mundësitë e fuqizimit të myslimanëve përmes edukimit.

 “Media In Our Globalizing World”, me disa bashkautorë. Libri merr shkas nga një konferencë ndërkombëtare e organizuar nga IOS, që vë në dukje rëndësinë dhe fuqinë e medias në epokën e globalizmit, sidomos në Indi, ku numërohen mbi 200 milion myslimanë.

 “Exclusion of Muslims in India - Participation, Tolerance and Legitimacy of the state”. Botuesi Arshi Khan, profesor në Departamentin e Shkencave Politike, pranë Universitetit “Aligarh” të Indisë, ka përzgjedhur leksionet më interesante të disa profesorëve dhe akademikëve të nderuar, ku mbizotëron çështja e zbatimit të të drejtave të myslimanëve në Iindi.

 “Islamic Finance and Venture Capital” është gjithashtu një përmbledhje studimesh ku parashtrohen disa mundësi për zhvillimin e ekonomisë indiane e më gjerë.

Këto libra janë në shërbim të çdo lexuesi, por, në mënyrë të veçantë, do t’i bëjnë dobi studiuesve dhe përkthyesve të fushave të ndryshme. Libroteka AIITC është mirënjohëse dhe falënderuese për veprat e dhuruara nga IIIT dhe fton çdokënd që është i interesuar, t‘i huazojë falas pranë nesh.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2