wrapper

 

Cover Muhtesar Sahih El Buhari 2 color kopertina e hapur

 

 

Titulli: Muhtesar Sahih El-Buhari
Autor: Imam Zejnudin Ahmed Ibn Abdul-Latif Zebidi
Botues: AIITC
Viti i botimit: 2015

Cilësitë e Imam Buhariut:
Imam Buhariu zë një pozitë shumë të lartë në mesin e dijetarëve të hadithit profetik, si pasojë e kujdesit të veçantë që ai tregonte për regjistrimin e haditheve më të sakta profetike. Ishte një nga dijetarët më të shquar në mbledhjen e haditheve. Kur ishte i vogël dhe nuk kishte mësuar ende të shkruante, shkonte në mësim me dijetarët e Basrës. Pas 16 ditësh i pa hadithet që ata kishin arritur të mbanin shënim dhe shtoi edhe 15 mijë hadithe të tjera që kishte dëgjuar. Kjo dëshmon për memorien e tij të fortë, që kur ishte fëmijë.

Shpesh, në kuvendet mes burrave, të tjerët shkruanin ndërsa ai veç dëgjonte. Kur dikush pyeti pse ai nuk shkruan, ata u përgjigjën se Buhariu është referencë dhe prej memories së tij shkruajnë të tjerët. Ai vetë ka rrëfyer se dinte përmendësh 100 mijë hadithe të sakta dhe 200 mijë hadithe jo të sakta. Kur e pyetën nëse kishte ndonjë ilaç për të mësuar përmendësh, ai iu përgjigj: “Nuk ka ilaç më të mirë se etja për dituri dhe qëndrimi mbi libra”. Kur njerëzit i kërkonin ndonjë këshillë, ai u thoshte se në hadithet profetike gjendet përgjigjja për çdo pyetje të qenies njerëzore. Buhariu vdiq natën e Bajramit, nata e parë e Shevalit, në vitin 256 pas hixhretit.

Vlera e “Muhtesar Sahih El-Buhari”
Sahih El-Buhari është një prej librave më të mëdhenj e të dobishëm për Islamin dhe mbahet si burimi i dytë autentik i shkrimeve islame, pas Kuranit. Rëndësia e tij qëndron në faktin se të gjitha hadithet e përfshira në të janë origjinale dhe mbulojnë një gamë shumë të gjerë të mësimeve islame. Për punën voluminoze të tij me Sahihun, Buhariu ka deklaruar se ka shkruar 600 mijë hadithe në gjashtëmbëdhjetë vjet.

Ndërsa Muhtesari është përkthim i një versioni të shkurtuar, që sjell lehtësi në përdorim. Libri përmban 2221 hadithe autentike, pra një e treta e “Sahih El-Buharit”. Këto hadithe shërbejnë si referencë për studiuesit e Islamit, studentët e fakulteteve teologjike dhe nxënësit e medreseve, si rregullator i jetës dhe i fesë së çdo besimtari musliman shqiptar.

Ky libër shquhet për vlerat e tij teologjike dhe gjerësinë e mesazheve njerëzore dhe shkencore që ai përcjell, duke sjellë të përmbledhur thesarin më të çmuar të traditës së Profetit Muhamed (a.s.). Në të gjenden rregulla e shembuj për besimtarët në disa sfera të jetës: marrëdhëniet bashkëshortore, trajtimi i të moshuarve dhe fëmijëve, familja, durimi në rast fatkeqësish, rregullat e tregtisë etj.

 

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2