wrapper

Libroteka e AIITC, falë punës sistematike shumë vjeçare është pasuruar me tituj të rëndësishëm nga fusha të ndryshme, mes tyre edhe tituj me natyrë fetare islame, që hedhin dritë mbi doktrinën, historinë dhe kulturën islame. Falë bashkëpunimeve të frytshme të saj, Libroteka AIITC ka krijuar një rreth bashkëpunëtorët që kontribuojnë për pasurimin e saj, siç është edhe Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë.

Së fundmi, Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë i ka dhuruar Librotekës AIITC kolanën prej shtatë vëllimesh “Islami nëpërmjet haditheve”. kjo kolanë është një punë voluminoze e përgatitur nga një këshill shkencor i përbërë nga studiues të shquar dhe eminentë nga Turqia, mes të cilëve vlen të përmendet Prof. Dr. Mehmet Görmez ish kryetari i Dijanetit të Turqisë.

Kjo kolanë, që tanimë mund të cilësohet si një prej referencave më të rëndësishme të lëmisë së hadithit në trojet shqiptare, ka ardhur në shqip pas një punë të gjatë të Prof. Metin Izetit, i cili, si koordinator i këtij projekti me vlera të larta akademike, ka bërë të mundur që kjo vepër të shohë dritën e botimit. Pjesë aktive e këtij projekti ka qenë edhe Prof. Nexhat Ibrahimi, i cili ka dhënë kontributin e tij të vyer në realizimin e botimit të kolanës prej shtatë vëllimesh “Islami nëpërmjet haditheve”. Gjithashtu, nuk mund të mos përmendet edhe Prof. Edison Çeraj, i cili ka qenë edhe redaktori gjuhësor i kësaj kolane.

Ndryshe nga librat klasikë të hadithit, kjo kolanë fillon me një hyrje kushtuar Profetit Muhamed (a.s), si vula e të gjithë profetëve, që sakrifikoi gjithçka kishte që drita e Islamit të përhapej në të gjithë Botë. Një historik i lëmisë së hadithit, pason atë, i cili nxjerr në pah vlerat e mëdha të punës së palodhshme të dijetarëve islamë për klasifikimin dhe ruajtjen e thënieve të Profetit Muhamed (a.s) në autenticitetin e tyre. Më pas vijon me parimet themelore që e ndihmojnë lexuesin në kuptimin e haditheve dhe traditës profetike me tërësinë e saj, si një pjesë e pandashme e fesë islame. Në këtë pjesë shtjellohen me detaje nocionet që përfshijnë hadithi dhe tradita profetike në perceptimin e saktë të thënieve profetike. Prej këtyre nocioneve mund të përmendim atë të shkakut të thënies së hadithit që ndihmon në analizën e saktë të tij. Po ashtu, një element i rëndësishëm i përmendur në këtë pjesë është edhe shpjegimi i masave dhe sasive të përmendura në hadithet profetike, dhe paraqitja e ekuivalentit të tyre me terma të kohës, në mënyrë që t’ia lexojë lexuesit kuptimin e tyre.

Në fillimin e vëllimit të parë të kalanës “Islami nëpërmjet haditheve” përmenden hadithet e para në lidhje me Besmelenë, që është edhe çelësi i çdo të mire, Hamedelenë, falënderimin ndaj Allahut dhe Salvelenë, që është edhe përshëndetja për Profetin Muhamed. Ndërsa kapitulli i parë i titulluar “Allahu, gjithësia, njeriu dhe feja” sjell për lexuesit dhe studiuesit hadithet që flasin për ekzistencën e Allahut, emrat dhe cilësitë e tij, krijimin, engjëjt etj. Një hyrje e tillë e bën këtë libër edhe më të këndshëm për lexuesin. Sepse, në këtë mënyrë ai shpalos rrugën, nëpërmjet të cilës feja islame ia prezanton njeriut Zotin dhe transhendentalen, duke i krijuar mundësinë atij që ta njohë Zotin nëpërmjet argumenteve dhe metodikës profetike. Vëllimi i parë i kësaj kolane mund të konsiderohet edhe si një përmbledhje e tematikave që vijnë më të zgjeruara në vëllimet që pasojnë. Ajo që bie në sy është renditja e nëntemave, ku vërehet qartë mënyra e menduar mirë e tyre.

Duke pasur parasysh sfidat që po përballet bota islame sot kundër globalizmit dhe promovimit të antivlerave si vlera dhe anasjelltas, një element tjetër shumë i rëndësishëm i kësaj vepre janë edhe kapitujt që përfshijnë hadithe që hedhin dritë mbi jetën sociale dhe atë shoqërore, si një rregullator perfekt dhe promovues i vlerave të larta islame që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë.

Një bashkësi që nuk njeh historinë e saj është e prirur që të mos jetë një element vendimtar në rrjedhën e historisë. Në vija të trasha, kjo është tema që trajtojnë hadithet e përmendura në Kapitullin Historia dhe Qatetërimi, në të cilin trajtohen disa nga aspektet bazë mbi të cilat është ndërtuar qytetërimi islam. Në këtë pikë vlen të theksohet trajtimi që i bëhet historisë së popujve të kaluar, duke na tërhequr vëmendjen tek gabimet e tyre dhe mësimet që mund të nxirren prej saj.

Më në brendësi të librit vërehen tema të mirëstrukturuara që sjellin për lexuesin hadithe, duke nisur me adhurimet, moralin islam, jetën sociale dhe shoqërore, historinë dhe qytetërimin islam, si dhe në fund të tij hadithet në lidhje me jetës pas vdekjes. Hadithet e përmendura në çdo kapitull kanë përkrah tyre referencat përkatëse që të çojnë drejt librave tradicionalë të haditheve. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme e kësaj përmbledhjeje hadithesh është edhe fakti i zgjedhjes së haditheve, ku vihet re se në pjesën më të madhe të tyre janë zgjedhur hadithe të konsideruara prej dijetarëve të kësaj lëmie, si hadithe autentike.

Kolana “Islami nëpërmjet haditheve” është strukturuar në një mënyrë të tillë që të jetë e përdorshme si nga studiues dhe akademikë të fushës e më gjerë, por edhe nga lexuesit e thjeshtë që dëshirojnë të kenë një informacion edhe më te gjerë rreth doktrinës, moralit, kulturës dhe historisë islame.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2