wrapper

Tahir Dizdari është një ndër emrat e njohur të gjuhësisë shqiptare, me një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e orientalizmave dhe leksikografisë. Si njohës i thellë i gjuhës turke dhe gjuhëve të tjera orientale, ia kushtoi gjithë jetën e tij mbledhjes, shpjegimit të hollësishëm dhe trajtimit të mijëra fjalëve nga gjuha e folur në krahina të ndryshme të vendit. Ai ishte poliglot dhe erudit i shquar, pinjoll i familjes 400 vjeçare Dizdari (Dizder - komandant i kalasë “Rozafat” në Shkodër). Njihet si autor i shumë veprave me karakter gjuhësor, por kryevepra madhore e tij mbetet “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe”, një botim voluminoz që përmban rreth 4500 fjalë, me prejardhje turke, arabe e perse.

Kjo vepër unike në trevat shqiptare e më gjerë, pati një rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, derisa u mor përsipër të botohej nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, duke pasur parasysh vlerat e pamohueshme të tij dhe vlerësimin e lartë nga albanologë dhe ballkanologë të shquar, shqiptarë e të huaj. Rëndësia saj qëndron në saktësimin e kuptimit të shumë fjalëve e shprehjeve orientale që, prej shekujsh, janë bërë pjesë e fondit të gjuhës shqipe. Aty janë përfshirë shumë fjalë të përdorura nga autorë të hershëm shqiptarë si Gjon Buzuku, Frang Bardhi, apo nga rilindësi Konstandin Kristoforidhi, çka e bën një thesar për leksikologjinë e gjuhës shqipe.

Pas një pune më shumë se 30 vjeçare, Dizdari e përfundoi fjalorin e tij në vitin 1972, disa javë para vdekjes, ndaj nuk arriti ta shohë atë të botuar. Megjithatë pjesë të veçanta të kësaj vepre i gjejmë në shtypin e kohës, që prej vitit 1944, si dhe në Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Punën për hartimin e fjalorit, autori e ka nisur që në vitin 1942, kur u internua në Itali dhe, pas vitit 1966, rikonceptoi lëndën e botuar pjesërisht në shtyp, e ripunoi, e plotësoi, e saktësoi dhe e sistemoi duke e paraqitur atë në formën e një studimi të madh monografik.

Në hyrje të fjalorit autori shpjegon se, me përjashtim të disa fjalëve, i gjithë fondi prej rreth 4400 fjalësh, kanë depërtuar në gjuhën tonë drejtpërdrejt nga turqishtja dhe kanë pësuar deformime nga një dialekt në tjetrin. Megjithatë etimologjia e këtyre fjalëve (zanafilla ose prejardhja) është kryesisht nga arabishtja, persishtja dhe më pak nga gjuhët: greke, latine, franceze, hebraike, hungareze, gjermane, sllave etj.

Fjalët e shpjeguara në fjalor i përkasin:
1) Kulturës së përgjithshme si arsim, histori, emra njerëzish, astronomi, fenomene natyrore, njësi matëse, përshëndetje, lojëra, proverba, përralla etj.
2) Botës së artit dhe kulturës si poezi, muzikë, vlerësim i fizikut femëror e mashkullor, humor etj.
3) Fenomeneve pozitive e negative të jetës, p.sh. marrëdhëniet shoqërore dhe ekonomike, lindja, vdekja, zakonet, besimi, dhuratat, morali, sjellja, veset, fatkeqësitë, fjalët fyese etj.
4) Kultura materiale që nënkupton ushqimet, veshmbathjet, shëndetin, bujqësinë, tregtinë, gjuetinë, peshkimin, blegtorinë, botanikën etj.
5) Onomastikë ku përfshihen emrat e vendeve, familjeve e fiseve, sipas zonave të caktuara.
6) Nga periudha osmane kanë mbetur fjalë për administratën, ligje, rregulla, ofiqe zyrtare, tituj e grada, klasa shoqërore, taksa, mjete luftarake dhe armatime etj.

Vlerat shkencore të fjalorit janë pasqyruar dhe ruhen realisht në veprat e sotme të leksikografisë shqiptare. Kjo vërtetohet edhe me faktin se, për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” (1980), autorët janë konsultuar me “Fjalorin e orientalizmave” të profesor Tahir Dizdarit. Mjaft fjalë me prejardhje turke, arabe e perse janë rrënjosur tashmë në shqipen letrare, duke iu përshtatur strukturës fonetike dhe gramatikore të saj. Madje ato nuk kanë fjalë përgjegjëse (ekuivalente) në gjuhën shqipe si top, byrek, hallvë, bakër, çorbë, bakllava etj.

Dihet se fjalorët gjuhësorë hedhin dritë mbi shumë të dhëna historike, gjuhësore e kulturore të një vendi. Gjithashtu ata janë pikë referimi për shkëmbimet gjuhësore dhe kulturore mes popujve, ndër shekuj. Parë nga ky prizëm, “Fjalori i orientalizmave në gjuhën shqipe” është vlerësuar si një model i shkëlqyer për krijimin e urave lidhëse mes popujve të Ballkanit.

Prof. Eqrem Çabej e ka cilësuar atë si “vepër me përmasa të gjera në gjuhën shqipe”, po kështu është vlerësuar edhe nga akademiku hungarez, prof. J. Nemeth, apo gjuhëtari turk A. Baha-Ezler e shumë të tjerë. Ndërsa për institutin AIITC ky fjalor mbetet një ndër kontributet më të rëndësishme dhe dhuratat më të çmuara për shkencën dhe gjuhësinë shqiptare. Ai u shërben studiuesve, orientalistëve, historianëve, kritikëve etj.

Për punën e tij të palodhur hulumtuese, në vitin 1995 Tahir Dizdari u nderua me urdhrin “Naim Frashëri i Klasit të Parë”, për kontribut të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike. Ndërsa në vitin 2013 është shpallur “Qytetar nderi” i qytetit të Shkodrës.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2