wrapper

Fjalori arabisht-shqip i autorit Sulejman Tomçini, botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, përbën një prurje të bollshme në fushën e leksikografisë shqiptare. Ai përmban rreth 70 mijë fjalë të shoqëruara me shpjegime të hollësishme dhe me barasvlerësit përkthimorë. Fjalori mbështetet në fondin e fjalëve që gjenden në tekstet e librave, gazetave, revistave dhe letrave anembanë botës arabe, nga Iraku në Marok. Në të renditen fjalë e fraza klasike të stilit elegant retorik, neologjizma, huazime, shprehje bisedore si edhe mbi 1mijë emërtime gjeografike.

Sfidat e gjuhës arabe
Krijimi i një terminologjie shkencore dhe teknologjike mbetet një sfidë e madhe intelektuale. Ndikimi i qytetërimit perëndimor e ka përballur botën arabe me problemin serioz gjuhësor të futjes së shumë koncepteve të reja, të cilat nuk kanë ekuivalente në këtë gjuhë. Kjo ka nxitur përpjekjet për të krijuar terma sipas gjedheve fjalëformuese arabe.

Arkaizmat
Shumë fjalë arkaike të vjela në materialin burimor janë pjesë e këtij fjalori, ndonëse mund të mos jenë më pjesë e leksikut të gjallë të gjuhës arabe. Besnikëria tradicionale ndaj normave të lashta gjuhësore dhe ndaj modeleve të literaturës klasike, veçanërisht ndaj Kuranit, ka pasur efektin e ruajtjes së gjuhës të paprekur gjatë shekujve.

Shpjegim me ilustrime
Për të ilustruar përdorimin e fjalëve në gjuhën arabe, janë përzgjedhur fjali dhe fraza idiomatike, apo sinonime, me qëllim që të përcaktohen sa më saktë caqet e përmbajtjes semantike, brenda së cilave mund të përdoret çdo fjalë.

Udhëzime përdorimi
Fjalët arabe janë renditur në fjalor sipas rrënjëve në arabisht, kurse fjalët e huaja janë radhitur në rend alfabetik dhe më vete. Për përdorimin më të lehtë të fjalorit, është e nevojshme që përdoruesi i tij të ketë një njohje fillestare të morfologjisë dhe sintaksës. Është menduar që foljes së vetës së tretë të kohës së shkuar në gjuhën arabe t'i përgjigjet veta e tretë e kohës së tashme në gjuhën shqipe.

Literatura e shfrytëzuar
Për hartimin e këtij fjalori voluminoz, autori Sulejman Tomçini është mbështetur në një numër jo të vogël botimesh nga autorë vendas e të huaj, kryesisht në fjalorët arabisht-rusisht, arabisht-arabisht, arabisht-anglisht, rusisht-shqip, anglisht-shqip si dhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe.

Përfituesit
Fjalori arabisht-shqip është një pikë mjaft e mirë referimi për studentët shqiptarë që studiojnë në botën arabe dhe anasjellas, mësuesit e gjuhës arabe në shkolla, medrese apo fakultetet e studimeve islame në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Gjithashtu u shërben teologëve, përkthyesve dhe të interesuarve në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike, politike e kulturore me botën arabe.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2