wrapper

Autori: Ibrahim D.Hoxha
Botues:AIITC
Vendi:Tiranë

Fjala Çamëri kurdoherë na ngacmon e na trondit vetëdijen, sepse na sjell ndërmend një kalvar të gjatë vuajtjesh e masakrash. U masakruan dhe u përndoq popullsia çame muslimane, sepse kërkonin të jetonin në liri, të ruanin identitetin, të zhvillonin kulturën dhe të flitnin gjuhën e tyre. Në këtë luftë të shenjtë, titanike, lindën heronj që valëvitën flamurin e trimërisë dhe atdhetarizmit. Bilbilat dhe thëllëzat çame s'kanë rreshtur së kënduari për bukuritë e natyrës, për atdheun, për dashurinë dhe besën, për hiret e vashave dhe trimëritë e djemve.

Historia e Çamërisë vazhdon të shkruhet. Kësaj radhe vjen e shkruar në vargje nga vjershëtarët, që studiuesi i palodhur Ibrahim D. Hoxha i qëmtoi dhe i gjeti nëpër arkiva dhe shumë syresh të ruajtura në dorëshrkime, në kujtesën popullore dhe i sjell për lexuesin në librin "Vjershëtarë të hershëm çamër". Një antologji, kjo, me vjershat më të spikatura dhe të vjershëtarëve më të përzgjedhur. Do të gjeni në këtë antologji vjersha të thurura bukur e me mjeshtëri për ndodhi të skalitura në histori, për heronj që vringëllyen shpatat e lirisë, që valëvitën flamurë dhe vaditën me gjak tokën amëtare.

U thurën vjersha për kalorësit e dijes, që me abetare e libra me shkronja shqipe, përhapën dituritë. Do të gjeni në këtë antologji poemat madhështore "Herveheja"dhe "Jusufi e Zelihaja" të vjershëtarit të shquar Muhamet Çami, poema në të cilat lartësohet morali, nderi, besa dhe virtyti që e ka karakterizuar femrën shqiptare. U shkruan vjersha për Skënderbeun, për Ismail Qemalin, për Metë e Kaso Duçen, për Shqipërinë, Kosovën, Çamërinë dhe flamurin. Do të gjeni edhe ca vjersha të dijetarit Hoxhë Hasan Tahsinit që hapin dritare në mendimin filozofik, sa fetar aq edhe shkencor, që rrok dijen në thellësitë e universit dhe në universin e shpirtit njerëzor.

Vjershëtarët Muhamet Çami, Hoxhë Jasin Alushi, Hoxhë Abdullahu, Haxhi Murat Çami shkruan Mevlude të cilat i madhi Hafëz Ali Korça i cilëson "... një tufë lule të zgjedhme e të përmbledhme prej shumë lulishtesh të vlefçme. Këto shkrime begatojnë letërsinë kombëtare...". Do të gjeni në këtë antologji, edhe vjersha me frymëzim fetar; ca këshilla për besimin, ca këshilla për Ramazanin, për pesë vaktet namaz, për Mirazhin e Pejgamberit dhe për shartet islame. Nëpërmjet vjershave lëshohet kushtrimi: Thërret Çamëria, Dëgjoni zërin e Atdheut, Përgjigje zërit të Atdheut, Zëri i Çamërisë.

Thirrja e vjershëtarëve ushtoi fuqishëm në gjithë Çamërinë, dhe vazhdon të jehojë: "Mos harroni Çamërinë" që Zoti e ka blatuar me bukuri të rralla, me male nga burojnë ujra të freskëta, me kodra të mbuluara prej agrumeve dhe ullishteve, me lëndina ku ushqehen bagëtitë, me selishte ku këndojnë bilbilat dhe thëllëzat. Mos harroni Çamërinë e burrave trima, të jataganit dhe dyfekut, e grave nikoqire e plot hire, të këngëve dhe valleve. Mos harroni historinë e Çamërisë së trishtë dhe të lavdishme, të lotëve që ende nuk janë terrur.

Vjershëtarët e moçëm çamër, nuk u ndryn kullave të fildishta. Vjershat e tyre nuk u pluhurosën faqeve të librave. Ato u mësuan dhe u recituan edhe prej atyre që nuk dinin shkrim e këndim. U përcollën gojë më gojë, në çdo shtëpi, në çdo vatër, brez pas brezi, e në kuvende burrash. U kënduan në këngë e u lodruan në valle. U ngjizën fort në shpirtin çam për t'i dhënë forcë në përballimin e dhimbjeve. Libri i historisë çame ende vijon të shkruhet. E shkruar në vjersha historia na vjen më e prekshme, më e ndieshme dhe më madhështore.

Vjershëtarët ngjasojnë me lule shumëngjyrëshe në livadhet dhe zabelet, ndërsa i papërtuari dhe i pashplodhuri Ibrahim D. Hoxha endet këtyre luleve për të mbledhur polen e nektar. Kjo antologji, na vjen si copëz e trashëgimisë kulturore shqiptare, të cilën Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam e vlerësoi dhe e mirëpriti për botim.

Gjithashtu u kujdes që ky libër që përcjell gjithë këto vlera dhe fakte interesante të Çamërisë dhe penave të saja të arta, ta sjellë para lexuesit shqiptar, për ti dhënë atij mundësinë që të njihet me jetën dhe veprën e atyre që e bënë Çamërinë, që edhe sot e kësaj dite të kujtohet me nder dhe krenari.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2