wrapper

Me përkthim dhe transkriptim në shqip
Botues: AIITC
Viti:2010;2012
ISBN:978-99956-713-7-2
Falënderojmë të Madhin Zot, i Cili na jep forcën dhe mundësinë që vazhdimisht të hedhim vështrimin tonë dhe të admirojmë Kuranin Famëlartë. Në çdo sure dhe ajet të këtij Libri të shenjtë besimtari mysliman gjen rrugën e drejtë dhe Këshillën Hyjnore. Mbas botimit të "Xhuzi Amme" i cili përmbledh suret e shkurtra të Kuranit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam këtë herë vjen në ndihmë besimtarëve muslimanë me botimin e sures "Ja Sin", e cila tradicionalisht është lexuar nga besimtarët dhe shumë prej tyre e kanë mësuar edhe përmendesh.

Komentuesit e Kuranit shpjegojnë se vetë shprehja "Ja Sin - Ti o njeri!", është thirrje për njeriun që jeton, është i pajisur me virtyte të vërteta njerëzore dhe i aftë për të lexuar e për të nxjerrë mësime nga Libri i Shenjtë.

Surja "Ja Sin" me përmbajtjen e saj gjendet pranë zemrës, shpirtit, jetës dhe veprimit të çdo muslimani dhe muslimaneje, duke i bërë ata që të udhëhiqen në jetën e tyre nga mësimet e Kuranit Fisnik dhe porositë e Profetit Muhamed (a.s.). Breza të tërë muslimanësh në trojet shqiptare në suren "Ja Sin" gjetën mbështetje të fuqishme morale për të qenë besimtarë të devotshëm.

Kjo sure u drejtohet të gjithë brezave si udhëzim dhe orientim në jetën e tyre që të lartësohen shpirtërisht e moralisht. Kush lexon atë dhe vepron sipas mësimeve të saj, përsos vetveten dhe, me sjelljen dhe veprimin e tij, fiton kënaqësinë dhe shpërblimin e Allahut (xh.sh.).

Në suren "Ja Sin" Allahu (xh.sh.) e porosit Profetin Muhamed (a.s.) që t'i lajmërojë edhe jobesimtarët se i pret një dënim i rëndë, por përsëri ata nuk do të korrigjohen. "Për ata është njëlloj, i paralajmërove apo nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë." (36:10).

Surja "Ja Sin" konsiderohet buqetë për besimtarët muslimanë, pasi për ta qortimi dhe këshilla kanë dobi. Për këtë arsye Kurani mbetet libri më i dashur dhe më i lartë, i cili kurdo i rri afër me këshilla të mira cilitdo që e lexon atë dhe dëshiron të veprojë sipas udhëzimeve të tij, çka i bën ata të jenë në rrugë të mbarë dhe të shpëtuar në këtë botë dhe në boten tjetër, në ahiret. "Në të vërtetë, paralajmërimi yt i sjell dobi vetëm atij që ndjek këshillën (Kuranin) dhe i frikësohet të Gjithëmëshirshmit, edhe pa e parë Atë. Këtij jepi lajmin e mirë për falje gjynahesh dhe shpërblimin bujar." (36:11).

Për të drejtuar njerëzimin në rrugën e drejtë Allahu (xh.sh.) solli në Tokë të dërguarit e Tij, por popujt e pabindur jo vetëm se nuk i dëgjuan, por u sollën keq dhe i goditën. Për këtë arsye për të pabindurit në Kuran thuhet: "(mjaftoi si dënim) vetëm një zë i tmerrshëm, pas të cilit u shuan përnjëherësh." (36:29)
Ndërsa për ata që iu bindën të dërguarve thuhet: "Ne kemi krijuar në Tokë kopshte hurmash dhe vreshta, e kemi bërë të shpërthejnë burime uji në të." (36:34)

Duke lexuar suren "Ja Sin" njeriu kupton se çdo gjë që ekziston në gjithësi, në qiell dhe në Tokë, se Dielli Hëna dhe yjet janë krijuar për qëllime të caktuara. Çdo gjë që është krijuar nga Allahu (xh.sh.), ekziston e funksionon sipas ligjeve të vendosura prej Tij. Në Kuran thuhet: "Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi." (36:38)

Surja "Ja Sin" na sjell në kujtesë shumë argumente që dëshmojnë se Allahu (xh.sh.) ia shpalli Kuranin Profetit Muhamed (a.s.) që të urdhërojë, të këshillojë e të drejtojë njerëzimin në rrugën e drejtë. Allahu (xh.sh.) është më Bujari dhe për njeriun ka krijuar shumë të mira, sepse edhe vetë njeriu është qenie e krijuar prej Tij për një qëllim të caktuar: Që të adhurojë vetëm Atë.

Në suren "Ja Sin", Zoti i Madhëruar betohet për Kuranin Famëlartë për të mbështetur vërtetësinë e Profetësisë së Muhamedit (a.s.). Kjo i jep shkëlqim dhe madhështi betimit, sepse Allahu (xh.sh.) betohet për diçka madhore dhe që e meriton betimin. Shpresojmë se muslimanët shqiptarë do të vlerësojnë përpjekjet tona për të përcjellë tek ata fjalën e Allahut (xh.sh.).

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2