Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është institucion i pavarur publik, që ka në fokus ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore e kulturore islame, përmes kontributit në fushën e shkencës dhe kulturës. U themelua në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës, nr. 143, datë 04. 03. 1996.

Misioni:
Veprimtaria e AIITC bazohet në realizimin e konferencave dhe simpoziumeve shkencore, botimeve, promovimeve e studimeve akademike për çështje që lidhen me kulturën, qytetërimin, artin, traditën dhe zakonet islame mes shqiptarëve. Ky Institut ka bashkëpunim të ngushtë me shumë institucione simotra, vendore e ndërkombëtare, me akademi, institute shkencore shtetërore e private, universitete, shoqata kulturore etj.

Objektivat:
– Të kontribuojë për ruajtjen e vlerave tradicionale kulturore islame te shqiptarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit.
– Të publikojë këto vlera në rrugë shkencore, në përqasje me arritjet e kohës, përmes njoftimeve dhe lajmeve on-line, apo botimeve të ndryshme.
– Të vendosë ura lidhëse ndërmjet kulturës së popullit shqiptar, popujve të Ballkanit e më gjerë, në fushat e historisë, të artit, të gjuhësisë, të filozofisë, të shkencës etj.
– Të krijojë kushtet e nevojshme për studimin, ruajtjen dhe regjistrimin e objekteve të kulturës dhe arkitekturës islame.

Vizioni:
Vizoni ynë për të ardhmen është zgjerimi i fushës së veprimit dhe konsolidimi i veprimtarisë sonë, përmes hulumtimit e grumbullimit të materialeve me vlera historike, shoqërore e kulturore, hartimit të monografive dhe përkthimit të literaturës së vjetër e të re, përçuese e filozofisë, qytetërimit dhe të ideve islame. Tashmë AIITC ka krijuar një rreth mjaft cilësor bashkëpunëtorësh në fusha të ndryshme, si historianë, punonjës shkencorë, teologë, artistë, lektorë etj.