Bordi Drejtues

Dr. Faruk BOROVA është Kryetar i Bordit Drejtues të AIITC. U diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, pas një përvoje pune 20-vjeçare në industrinë kimike shqiptare, në vitin 1993 mori Gradën Shkencore “Doktor” në fushën e teknologjisë kimike. Në vitet 1992 – 1993 ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Shtetërore Eksport – Import dhe në vitet 1993 – 1997, ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë për Lindjen e Mesme duke përfshirë Egjiptin, Libinë, Palestinën, Izraelin, Sudanin, Jordaninë dhe Irakun, me rezidencë në Kajro, të Republikës Arabe të Egjiptit. Autor i librit “Dinastia shqiptare që sundoi Misirin 1805 – 1952” botuar në vitin 2010, nga muaji tetor i vitit 2011 e në vazhdim ka punuar në Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam fillimisht si Nëndrejtor e më pas si Kryetar i Bordit Drejtues dhe Përgjegjës i Marrëdhënieve me Jashtë.

Dr. Ardian MUHAJ është drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. U diplomua në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, dega Histori – Gjeografi. Studimet Master dhe gradën “Doktor” i mbrojti në Universitetin e Lisbonës, Portugali. Në vitin 2008 ishte laureat i çmimit “Costa Veiga”, akorduar nga Akademia Portugeze e Historisë, për monografinë më të mirë në fushën e Historisë së Mesjetës në Portugali. Ka një veprimtari shkencore e studimore të pasur, me mbi tridhjetë artikuj shkencorë dhe kumtesa të botuara në Shqipëri, Kosovë, Turqi, Hungari, Itali, SHBA, Spanjë, Portugali, Angli e Maltë. Është autor i 3 monografive të botuara dhe polikopjuara, gjithashtu ka përkthyer dhe përgatitur për botim tre libra nga spanjishtja, portugalishtja dhe anglishtja. Mbi njëqind artikuj e punime letrare mbajnë emrin e tij, kryesisht tregime e përkthime nga spanjishtja dhe portugalishtja, opinione, intervista e analiza të botuara në shtyp, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Zvicër, Angli etj. Me kumtesat e tij, dr. Ardian Muhaj ka qenë pjesëmarrës në mbi tridhjetë konferenca, workshope e simpoziume, kombëtare e ndërkombëtare. Aktualisht punon në Institutin e Historisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Tiranës dhe është anëtar i Akademisë Portugeze të Historisë në Lisbonë.

Prof. As. Dr. Ramiz ZEKAJ është themelues dhe anëtar bordi i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Ka studiuar Orientalistikë në Fakultetin e Filozofisë, Prishtinë. Më pas ka kryer Institutin e Gjuhëve të Huaja në Medinë (dega Gjuhë Arabe), ku më vonë kreu edhe studimet e larta për Jurisprudencë Islame. Në vitin 1994 është laureuar me gradën “Doktor i Shkencave” në fushën e Historisë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Ka mbajtur leksione në disa universitete e qendra kërkimore, si në Vjenë, Novi Pazar, Sarajevë etj. Prej vitit 2016 e në vazhdim është pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, për lëndën: “Zhvillimi i kulturës islame në Ballkan”. Për më shumë se 20 vjet drejtoi Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC), me një vizion të qartë e modern. Është autor i një sërë botimesh e artikujsh shkencorë në fusha të ndryshme. Mbështetës dhe anëtar i shumë organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfaqësuar një nga personalitetet publike më universale islame në trojet shqiptare, në kapërcyellin e shekujve 20-21. Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj aktualisht mban postin e drejtorit të Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), gjithashtu Kryetar i Bordit Administrativ i Institutit Kanadez të Teknologjisë si dhe kryeredaktor i revistës shkencore-kulturore “Univers”. 

Alush SARAÇI është anëtar i Bordit Drejtues të AIITC, i cili ka dhënë kontributin e tij me idetë dhe eksperiencën profesionale për vite me rradhë. Alush Saraçi është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik. Më pas ka zhvilluar disa kualifikime dhe trajnime në SHBA për shkencat e ekonomisë. Si ekonomist i niveleve të larta ka dhënë ndihmesa për problemet ekonomike në Shqipëri. Ka drejtuar me aftësi disa institucione të rëndësishme shtetërore duke ndikuar mbarëvajtjen e tyre.

Xhemal BALLA ka kryer Medresenë e Tiranës e më pas është diplomuar në Institutin Pedagogjik, Fakulteti i Bio-Gjeografisë. Ka ushtruar profesionin e mësuesit prej shumë vitesh dhe për këtë është dekoruar me titullin “Mësues e edukator i dalluar”. Xhemal Balla, si pjesë e Bordit Drejtues të AIITC ka dhënë kontribut në revistën shkencore “Univers”- botim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Është autor i disa librave monografikë kushtuar figurave më të shquara islame në Shqipëri. Gëzon një përvojë të pasur shkencore pedagogjike dhe ka qene tepër i suksesshëm në institucionet arsimore të drejtuara prej tij.

Prof. Dr. Muharrem DEZHGIU është historian dhe studiues i problemeve të historisë së shqiptarëve pas Shpalljes së Pavarësisë deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në veprimtarinë e tij shkencore mbi 30-vjeçare, prof. Dezhgiu ka zhvilluar studime të specializuara për problemet politike, ushtarake, ekonomike-shoqërore të historisë së shqiptarëve në vitet e Luftës së Dytë Botërore; ka dhënë mësime e leksione për studentët dhe pasuniversitarët; ka drejtuar tema diplomash dhe doktoratura; ka marrë pjesë në juri për mbrojtje doktorature si oponent dhe si kryetar jurie; ka recensuar dhe ka bërë redaktime shkencore të botimeve me temë nga kjo periudhë historike; ka marrë pjesë në grupe pune për hartimin e teksteve mësimore; ka marrë pjesë me punimet dhe studimet e tij në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë në poste drejtuese në Institutin e Historisë dhe aktualisht drejton Qendrën e Enciklopedisë Shqiptare. Prodhimtaria e tij shkencore në fushën e historiografisë numëron 16 libra si autor e bashkautor, si dhe dhjetëra e dhjetëra artikuj shkencore, kumtesa, kritika etj. Prej mesit të vitit 2012, Prof. dr. Muharrem Dezhgiu është anëtar i Bordit Drejtues të AIITC.

Prof. Dr. Shaban MURATI, diplomat karriere, është një nga figurat e rralla që i ka rritur vlerat këtij vendi. Ka qenë ambasador, këshilltar i kryeministrit, ministër i diplomacisë shqiptare, akademik, publicist, analist dhe shkrimtar. Ka qenë në poste drejtuese si: Drejtor i Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Drejtor i Drejtorisë së Ballkanit në Ministrinë e Jashtme, Drejtor i Drejtorisë së Prognozës dhe Analizës në Ministrinë e Jashtme, Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Zëdhënës dhe drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Ministrinë e Jashtme. Prodhimtaria e tij në fushën e diplomacisë numëron libra, shkrime dhe analiza të shumta të çështjeve ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to. Është vlerësuar me tituj dekorues “Mjeshtër i Madh”, “Çmimi i Karrierës 2012”, “Naim Frashëri” dhe “Fisnikëria e Tiranës” për kontributin e shquar në publicistikën dhe diplomacinë shqiptare. Prej mesit të vitit 2016, Prof. dr. Shaban Murati është anëtar i Bordit Drejtues të AIITC.

Assoc. Prof. Dr. Reis MULITA është pedagog pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, në departamentin e “Politikës, Qeverisjes dhe Komunikimit” si edhe kerkues shkencor në “Qeëndrën e Edukimit për Kërkim Innovacion dhe Teknologji “CERTI, në Universitetin “Marin Barleti”. Ka kryer studimet PhD në Universitetin e Triestes ne Itali dhe ka fituar titullin Doktor i Folozofise (PhD), në disiplinen Sociologji e Territorit, ne programin studimor “Trans-border Policy for Daily Life” (2006-2009). Ka kryer studimet universitare në degën histori gjeografi, studime, studime pas-universitare të certifikuara në menaxhim politik, filozofi dhe studime në programin Master Shkencor në Studime Evropiane. Dr. Mulita zotëron eksperiencë profesionale në fushën e politikave të punëve publike dhe transportit, punës, ceshtjeve sociale dhe emigracionit, sigurimeve shoqërore, të cilat i ka ushtruar gjatë pozicionit në politikbërjë në institucionet e sipërpërmëndura. Eksperienca profesionale e Assoc. Prof. Dr. Mulita edhe fushën e edukimit si mësimdhënës dhe drejtues në shkolla të edukimit te pergjithshem sekondar, në periudhën pas studimeve universitare. Ka marrë pjesë në edukime të konsiderueshme ndërkombëtare, pranë institucioneve të lidhura me veprimtarinë profesionale. Që prej shtatorit të vitit 2017, Assoc. Prof. Dr.Mulita është anëtar i Bordit Drejtues AIITC.