wrapper

Ditën e mërkurë, datë 05.06.2013, Akademia e AIITC "Popuj dhe Kultura" organizoi takimin e saj të tretë me temë: "Islami dhe Demokracia nën Dritën e Zhvillimeve të Fundit në Botën Arabe" ku i ftuar ishte Dr.Muhamed Sibitli, hulumtues për studime strategjike në Qendrën Fejsal për Studime Islame, Riad dhe Zv/Kryeredaktor i revistës "Islami dhe Bota Moderne".

Ky takim vinte në kuadër të leksioneve që kjo akademi organizon, me synim për të kontribuar pozitivisht në kulturën shqiptare me këndvështrime të reja dhe me prurje të larmishme nga qytetërimi botëror.

Deri tani, media shqiptare, ajo e shkruar dhe vizive ka trajtuar dhe analizuar zhvillimet më të fundit në vendet arabe, nëpërmjet analistëve, politologëve dhe gazetarëve vendas apo perëndimorë. Për këtë arsye AIITC synoi që nëpërmjet këtij takimi të sjellë para publikut shqiptar një këndvështrim të ri nga brenda vetë botës arabe, dhe për këtë arsye ftoi një nga njohësit e mirë të kësaj fushe, historianin, dhe akademikun tunizian, Dr.Mohamed Sbitli.

Në fjalën e tij Dr. Muhamed Sbitli paraqiti për të pranishmit një panoramë të qartë dhe një analizë konkrete e praktike mbi zhvillimet, ngjarjet dhe protestat e ndodhura vitet e fundit në Tunizi, Egjipt, Libi dhe Siri, ngjarje të cilat kanë trazuar opinionin ndërkombëtar dhe vazhdojnë të mbajnë ndezur rajone të tëra. Analizën Dr. Sbitli e nisi me një trajtesë, ku shpjegoi emërtimet e ndryshme të këtyre ngjarjeve. Ai tha se qytetarët e këtyre vendeve i emërtuan revolucionet e tyre sipas qëllimeve për të cilat u ngritën.

Kështu, tunizianët e emërtuan revolucionin e tyre "Revolucioni i Barazisë" sepse kërkonin të drejta të barabarta ekonomike, ndërkohë që libianët apo sirianët i quajtën lëvizjet e tyre "Revolucioni i Lirisë", sepse kërkonin liri; ndërsa shtypi botëror i njohu këto lëvizje me emërtime të tilla, si "Pranvera Arabe", apo "Revolucioni i Jaseminit" për protestat në Tunizi, të cilat u zhvilluan në mënyrë më paqësore dhe ndikuan në një kalim të butë pushteti.

Më tej, Dr. Sbitli u fokusua në ndryshimet midis strukturave shoqërore, ekonomike dhe politike midis shteteve arabe në të cilat ndodhën këto ngjarje, e që për pasojë sollën edhe ndryshime në mënyrën si u zhvilluan ato. Ndër të tjera ai theksoi se në shtetet ku shoqëria civile ishte më solide, si Tunizia dhe Egjipti, revolucionet ishin më paqësore dhe ushtria nuk ndërhyri. Ndërsa në shtetet si Libia, e cila ka një strukturë shoqërore tradicionale tribale, apo si Siria, ku shoqëria civile ishte thjesht maskë e sistemit në fuqi, revolucionet rezultuan të përgjakshme dhe ushtria mori krahun e pushtetit.

Pastaj ai analizoi një për një situatat që çuan në zhvillimin e protestave në secilin prej vendeve të përfshira dhe shpjegoi disa nga faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këto ngjarje. Prej tyre ai përmendi faktorët ekonomikë, socialë, etnikë e fetarë, si dhe ndërhyrjen e disa shteteve të huaja.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2