wrapper

Tiranë, 24.01.2019

Redaksia e revistës shkencore- kulturore “Univers” u mblodh në ambientet e hotel “Rogner”, për të bërë analizën finale të artikujve të paraqitur për botim në numrin e saj të njëzetë. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj; kryeredaktori, prof. as. dr. Ramiz Zekaj; anëtarët prof. dr. Arian Kadiu, prof. dr. Hamit Boriçi, prof. dr. Ramazan Bogdani, prof. dr. Nevila Nika, prof. dr. Seit Mancaku; redaktorja letrare Anila Ferizaj; nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra si dhe koordinatorja Anisa Hykaj.

Duke pasur parasysh rëndësinë që paraqet ky numër jubilar, mbledhja diskutoi me hollësi të gjitha aspektet e tij: linjat kryesore të përmbajtjes, ndërthurjen mes autorëve të njohur dhe studiuesve të rinj, përfshirjen e autorëve të huaj, evidentimin e risive që sjell numri etj.. Në linjat e saj të përgjithshme, revista do të përmbajë artikuj historikë, letrarë, teologjikë, biografikë, dokumente dhe analiza librash.

Mes artikujve që do të jenë pjesë e këtij numri, mund të përmendim:

Rubrika “Studime”
“Mbi historinë e parrëfyer detare të shqiptarëve” nga dr. Ardian Muhaj; “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, faktor i zhvillimit kulturor e arsimor” nga dr. Sadik Mehmeti; “Rikthimi i motiveve mitike në letërsi – rasti i romanit Ura me tri harqe” nga Fikret Ramadani; “Imazhi i osmanëve në tekstet shkollore të historisë në Bosnje dhe Hercegovinë” nga prof. dr. Ahmet Alibashiq; “Leksiku i shqipes në fushën e kuzhinës në Kosovë” nga Melihate Zeqiri etj.

Rubrika “Horizonte shoqërore”
“Vizioni arsimor i Medresesë së Naltë të Tiranës” nga Haki Sahitaj; “Identiteti shqiptar në sfondin e globalizmit” nga Dr. Rexhep Suma; “Në themel të humanizmit – jeta e njeriut” nga Muharrem Dardha etj.

Rubrika “Art, kulturë dhe traditë”
“UNESCO, Shqipëria dhe trashëgimia jomateriale” nga prof. dr. Vasil S. Tole, “Vjershëtori Sulejman Naibi” nga Dr. Dorian Koçi; “Një analizë hermeneutike mbi poezinë reshpjane” nga Melsen Kafilaj etj.

Rubrika ”Opinione”
“Për një vizion progresiv në menaxhimin e konvikteve studentore në trojet shqiptare dhe në Ballkan” nga Prof. Dr. Ramiz Zekaj; “Skënderbeu si pjesë e ndërgjegjes europiane” nga Prof. Dr. Gjergj Sinani; “Rrethanat gjeopolitike të çështjes shqiptare pas viteve 90” nga Shaban Murati; “Pjesëmarrja e medresistëve në demonstratat e vitit 1981” nga Adem Ademi etj.

Rubrika “Dokumente”
Dokument rreth Pavarësisë së Shqipërisë

Rubrika “Botime në fokus”
“Analizë e librit Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale të autorit Nehat Krasniqi” nga prof. dr. Emil Lafe; “Stambolli në Sejahatnamenë e Evlija Çelebiut” nga Dr. Eduart Caka etj.

Pas analizës së artikujve, në mbledhje u diskutua ideja për të përgatitur një botim bibliografik për njëzet numrat e revistës, i cili do të përmbajë indeksin e të gjithë artikujve dhe të autorëve të saj. Redaksia vuri piketat për hartimin e kësaj bibliografie menjëherë pas daljes së numrit të radhës. Kjo do të lehtësojë ndjeshëm punën për kërkimin e çdo artikulli apo shkrimi të botuar ndër vite.

Anëtarët diskutuan, gjithashtu, për një platformë të re takimesh akademike që do të organizohen me autorë të ndryshëm të revistës “Univers”, rreth tematikave për të cilat ata kanë shkruar në këtë revistë. Ky program takimesh akademike projektohet të zhvillohet në auditorë universitarë, në biblioteka dhe qendra të ndryshme kulturore e studimore në mbarë hapësirën shqiptare.

Tashmë po vijon puna për përgatitjen për shtyp të numrit 20 të revistës dhe së shpejti ajo do jetë në duart e lexuesve, si dhe në bibliotekat e institucioneve publike e akademike.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2