wrapper

Tiranë, 26.02.2019

Përkthimi i një libri studimor apo letrar është një detyrë mjaft e vështirë, që kërkon përkushtim, profesionalizëm, por edhe njohje të thellë të terminologjisë së gjuhëve të huaja. Ky proces vështirësohet edhe më shumë, kur bëhet fjalë për librat e shenjtë, gjuha e të cilëve është tejet e veçantë dhe përcjell mesazhe të forta për njerëzimin. Për ta kuptuar edhe më mirë rolin e një përkthyesi dhe rëndësinë e një përkthimi cilësor, Departamenti i Studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi njës takim studentor me përkthyesin dhe teologun Telat Sula.

Në fillim të këtij takimi, nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra, bëri një prezantim të shkurtër të punës shumëvjeçare të teologut Sula me librat e shenjtë te Islamit. Ai u përqendrua në dy botimet kryesore të përkthyera prej tij, që janë “Shpjegimi i Kuranit në gjuhën shqipe” dhe “Muhtesar Sahih El-Buhari”. Duke sjellë në vëmendje edhe të tjera përkthime më të hershme të Kuranit, përpjekje serioze të intelektualëve shqiptarë, ai vuri theksin në vështirësinë e procesit të përkthimit, që synon të mos devijojë versionin origjinal të një libri arabisht, por, në të njëjtën kohë, ta bëjë atë sa më të kuptueshëm për lexuesin.

Ndërsa teologu Telat Sula e nisi ligjëratën e tij me përvojën e parë në përkthimin e një versioni arabisht të Kuranit, duke nënvizuar dy mënyra për përkthimin e një vepre: përkthim gjuhësor fjalë për fjalë, duke i qëndruar besnik origjinalit dhe përkthim leksikor sipas kuptimit, që ka si qëllim ta bëjë sa më të kuptueshme një vepër, edhe pse mund ta humbasë disi origjinalitetin, por ruan formën dhe përmbajtjen. Sipas tij Kurani ka një gjuhë më të thjeshtë se poezitë arabe, kalimi nga veta e parë në vetën e dytë dhe në të tretë është me të vërtetë një mrekulli, pasi me pak fjalë transmetohet një mesazh shumë i madh. Megjithatë përkthimi i tij paraqet mjaft vështirësi, ku terminologjia e përdorur në të nuk mund të përshtatet lehtë me fjalorin e një gjuhe tjetër, sepse humbet kuptimi i fjalëve.

Sa i përket mënyrës së leximit të veprave të shenjta, ai thekson se duhet treguar kujdes, pasi shpesh ndodh të abuzohet me fragmente apo pjesë të shkëputura nga Kurani dhe hadithet profetike, që e humbin kontekstin dhe përdoren pa të drejtë si argumente. Shkrimet e shenjta duhet të lexohen në tërësi, në mënyrë që mesazhi i tyre të perceptohet drejt.

Në çdo rast, një përkthyes i mirë duhet të ketë parasysh se përkthimi ka gjithnjë si qëllim transmetimin e mesazhit islam te lexuesi, përmes një teksti të kuptueshëm që i përshtatet gjuhës në të cilën përkthehet vepra. Gjithashtu teologu theksoi se është e pamundur të standardizohet përkthimi i Kuranit, por mund të standardizojmë terminologjinë e përdorur në gjuhën shqipe. Ligjërata e tij u ndoq me mjaft interes nga studentët pjesëmarrës, të cilët patën mundësinë t'i drejtojnë edhe disa pyetje mbi këtë temë mjaft interesante.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2