wrapper

Tiranë, 17.07.2019

Biomjekësia është një degë e shkencës mjekësore që zbaton parimet e biologjisë dhe të shkencave natyrore në praktikën klinike. Ajo ka si qëllim zhvillimin e teknikave të reja diagnostikuese dhe terapeutike, duke pasur parasysh respektimin e të drejtave të njeriut dhe duke iu përmbajtur etikës mjekësore në trajtimin e pacientëve. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam zhvilloi një Seminar trajnues me temë “Etika në Biomjekësi”, për të shpjeguar marrëdhënien e ndërlikuar mes këtyre faktorëve. I ftuar ishte Dr. Amin Kashmeery, Profesor i Fiziologjisë në Universitetin e Mbretit Saud bin Abdulaziz të Mekës.

Në fjalën e hapjes, i ngarkuari me detyrën e nëndrejtorit të AIITC, z. Pëllumb Jaupi, bëri një prezantim të shkurtër mbi eksperiencën shumëvjeçare që Profesor Kashmeery zotëron në fushën e Etikës Biomjekësore, duke mbajtur një sërë titujsh e detyrash të rëndësishme. Ai gjithashtu ka marrë pjesë në shumë konferenca, seminare e leksione në vende të ndryshme të botës, duke qenë edhe autor librash e artikujsh shkencorë. Leksioni i tij u nda në dy seanca. E para i referohet Hyrjes në Etikën Biomjekësore, ndërsa seanca e dytë me temë: “Si të marrësh vendime të forta etike për çështjet mjekësore, në përputhje me Sheriatin islam”.

Dr. Kashmeery e nisi leksionin e tij me një video shumë domethënëse nga jeta reale, ku dilema mes jetës dhe vdekjes është çështja që shqetëson më së shumti opinionin publik. Lënia në jetë e një fëmije me sëmundjen gjenetike Miopati Kongenitale, që paralizon të gjithë muskujt e trupit, apo fikja e aparaturave që e mbajnë atë në jetë?! Kjo ishte dilema që ngjalli më së shumti debat mes të pranishmëve në këtë seminar.

Për ta sqaruar këtë problem nga pikëpamja e Etikës Biomjekësore, Dr. Kashmeery shpjegoi se mjekësia sot është viktimë e zhvillimit të saj, ku një sërë pikëpyetjesh të ngritura kanë nevojë për përgjigje emergjente. Specialistët e shëndetësisë hasen me shumë probleme që duhen adresuar te personat përgjegjës, si vetë pacientët, mjekët, hartuesit e strategjive shëndetësore, shkencëtarët, ligjvënësit etj. Për çështje delikate si transplantimi i organeve, eutanazia, legalizimi i lëndëve narkotike, farëzimi artificial, planifikimi familjar, zgjedhja e gjinisë së fëmijës etj., ajo çka është e mirë për njërin, mund të mos jetë e pranueshme për tjetrin, ndaj Etika Biomjekësore vendos një balancë mes këtyre mundësive.

Vendosja e rregulloreve ndërkombëtare në fushën e mjekësisë, siç janë Kartat e të drejtave të njeriut apo të pacientit, nuk mirëpriten nga të gjitha kombet, nëse nuk merren parasysh edhe faktorët socialë e kulturorë. Këtu bën punën e saj Etika, që ka si qëllim zgjedhjen e një rruge të mesme, që të jetë më shumë në favor të moralit të lartë njerëzor. Në disa raste, pacientëve u jepen disa zgjidhje, mes të cilave ai duhet të jetë i lirë të zgjedhë atë që e konsideron më të arsyeshme. Duke sjellë edhe shembuj të tjerë nga jeta reale, Dr. Kashmeery theksoi gjithashtu ndryshimin mes Etikës dhe Meta-Etikës, duke iu referuar Kuranit, Sunetit dhe Sheriatit islam.

Pas leksionit të tij shumë frytdhënës, të pranishmit, shumica e të cilëve studentë të mjekësisë, patën mundësinë t′i drejtonin disa pyetje rreth temave të trajtuara. Në fund të seminarit, të gjithë të pranishmit u pajisën me Certifikata pjesëmarrjeje në këtë trajnim.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2