wrapper

Zbulimi i lidhjeve mes Kuranit dhe shkencës moderne qëndroi në thelb të referimit shkencor që mbajti prof. dr. Ali Iljazi në ditën e dytë të ekspozitës "Mrekullitë shkencore të Kuranit". I njohur për punën e tij si mjek në Gjakovë përgjatë dyzet viteve, Dr. Iljazi shquhet njëherazi për studimet dhe hulumtimet që ka kryer në lidhje me tematikën e ekspozitës. Dhe produkt i këtyre përpjekjeve janë mbi njëzet libra që ai ka botuar e ku shpaloset më së miri pikëpamja e tij se nuk ka kundërshti midis fesë dhe shkencës, përkundrazi, Kurani është prijatar i shkencës.
Për mjekun e njohur, kur lexuesi studion me vëmendje dhe hollësisht të vërtetat shkencore që ndodhen në Kuranin famëmadh, ai përjeton një tronditje të thellë shpirtërore, ndien një respekt dhe mahnitje. Sipas tij, gjatë 14 shekujve të fundit asnjë libër nuk është lexuar, nuk është komentuar dhe nuk e ka formësuar mendimin njerëzor, siç e ka bërë Kurani.
Ai nënvizoi se njerëzimi, në shkallë të ndryshme të zhvillimit të tij nëpër etapa, ka arritur të pasurojë fondin e vet me dije të ndryshme, andaj edhe zbulimet janë nëpër faza, shkallë-shkallë. Shumëçka është zbuluar, por edhe më tej mbetet i gjerë diapazoni i asaj që nuk është zbuluar. Të tilla janë edhe thesaret kuranore: shumë prej tyre presin ende për t'u zbuluar.
Për t'i vërtetuar këto pikëpamje, ai e shtjelloi në referimin e tij me dhjetëra vargje kuranore, të cilat përshkruajnë dukuri të ndryshme që kanë të bëjnë me krijimin e njeriut, të natyrës dhe të gjithësisë. Dr. Iljazi u ndal veçanërisht në krijimin e jetës, duke e quajtur atë një nga misteret më të mëdha, të cilave shkenca ende nuk u jep dot përgjigje. Fillimisht trajtoi mënyrën si e ka përshkruar Kurani krijimin e njeriut dhe më pas e krahasoi këtë fakt me ringjalljen e tokës dhe daljen e bimësisë prej saj kur bie shiu.

Në fund të ligjëratës, të pranishmit i drejtuan mjekut të nderuar një varg pyetjesh në lidhje me temën. Pyetjes se çfarë e kishte shtyrë të merrej me hulumtime në këtë fushë, ai iu përgjigj se shtysa kryesore ka qenë mjedisi profesional dhe dëshira për t'u ofruar kolegëve ateistë një këndvështrim tjetër, që nuk sheh përplasje mes shkencës dhe fesë. Ndërsa pyetjes për teorinë e evolucionit që mësohet sot në shkolla, ai iu përgjigj se e sheh të domosdoshme që në kurrikulat shkollore të futen faktet që kanë përmendur shkencëtarët nga teoria e krijimit.
Në përfundim, të pranishmëve iu shpërndanë disa libra të sjella nga AIITC enkas për këtë rast dhe ata patën mundësinë të ndjekin më tej ekspozitën

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2