wrapper

Nën ligjërimin e temës "Farmacia profetike" vijon ditën e saj të tretë Ekspozita "Mrekullitë Shkencore të Kuranit" pranë ambienteve të Muzeut Historik Kombëtar.

Farmacia profetike, pjesët përbërëse të saj, fakte dhe argumente të vërtetuara shkencërisht qëndruan në pikëpamjet themelore të pasqyruara në ligjëratën shkencore nga Prof. Dr. Ruzhdie Qafmolla. Profesoresha është një ndër emrat më të mëdhenj të fushës së Stomatologjisë, e para mjeke në Shqipëri që ndërmori punime në fushën eksperimentale duke nisur kështu një valë ndryshimi në fushën e stomatologjisë në Shqipëri, nga një stomatologji empirike në një stomatologji bashkëkohore.

Për stomatologen, kryeredaktoren e shumë revistave dhe presidenten e një sërë kongresesh kombëtare e ndërkombëtare, feja islame, përbën një rast unik për nivelin e shtrirjes së saj në jetën e njeriut. Ajo ka përfshirë në një rend të vetëm, thuajse çdo hapësirë të jetës njerëzore, duke rregulluar të gjitha raportet e saj në një sistem harmonik. Në këtë mënyrë, Islami ka shprehur parimet e tij, thuajse në çdo fushë të aktivitetit të njeriut, duke synuar përmirësimin e jetës në të gjitha aspektet e saj.

Kujdesi ndaj trupit, i cili konsiderohet dhuratë e Zotit, është pjesë e synimeve të legjislacionit hyjnor, ndaj dhe mbrojtja, forcimi, zhvillimi, mosmundimi si dhe garantimi i kushteve higjienike të tij, konsiderohen detyrime të rëndësishme fetare dhe morale. Për këtë arsye, Islami ka paraparë një sërë rregullash dhe parimesh, të cilat synojnë të garantojnë kushtet fizike dhe materiale në jetën e njeriut. Natyrisht, një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në këtë drejtim, zë pa mëdyshje edhe mbrojtja e shëndetit dhe kurimi prej sëmundjeve.

Dr. Qafmolla në ligjëratën e sotme solli për të pranishmit hadithe të shumta të profetit Muhamed dhe versete Kuranore në të cilat janë përmendur bimë si: vaji i ullirit, mjalti, fara e zezë, misvaku etj, duke i ndërthurur me fakte të vërtetuara shkencërisht. Ligjërata vijoi me pyetje të shumta rreth temës, të cilave Dr. Qafmolla iu përgjigj me fakte shkencore duke dhënë dhe përvojat e saj personale. Më pas të pranishmëve iu dhuruan botime të AIITC duke vijuar më tej për të ndjekur më nga afër ekspozitën nëpërmjet posterave dhe broshurave ilustruese.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2