wrapper

Në mbyllje të muajit të madhërishëm të Ramazanit, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) organizoi ditën e mërkurë dt. 15.07.2014 ekspozitën “Mrekullitë Shkencore të Kuranit”. Ekspozita u zhvillua në bashkëpunim me Myftininë e Shkodrës në mjediset e Qendrës Kulturore Islame dhe Xhamisë së Dy Vajzave në Shkodër.

E vendosur në kuadër të një atmosfere entuziazmi shpirtëror, siç është periudha e Ramazanit, ekspozita tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve. Besimtarë të moshave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, sfiduan vapën e këtyre ditëve të nxehta të korrikut dhe orën e fundit të ditës para iftarit e kaluan duke lexuar me kureshtje mbi 50 postera me shpjegime shkencore të dukurive natyrore të përshkruara në Kuranin e madhërishëm dhe fjalët e Profetit Muhamed (a.s.).

Me këtë rast, nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra i përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se, pas Tiranës, kjo ekspozitë vjen për herë të parë në Shkodër, e pikërisht në mjediset e Qendrës Kulturore të Xhamisë së Dy Vajzave. Me urimin që më pas ekspozita të zhvendoset edhe në qendrën e qytetit të Shkodrës, për të qenë e hapur për të gjithë qytetarët, ai nënvizoi se ajo zhvillohet në një format shumë të lehtë e të përshtatshëm për t’u lexuar e vizituar nga të interesuarit.

Ndërkohë, imami i Xhamisë së “Dy Vajzave”, teologu Lavdrim Hamja, lavdëroi bashkëpunimin e Myftinisë Shkodër me AIITC, duke theksuar se ky aktivitet vinte si një kurorë e bukur në fund të këtij muaji, i cili jo rastësisht është quajtur muaji i Kuranit, pasi fton në leximin dhe përsiatjen e Librit të Shenjtë. Ashtu siç është edhe qëllimi kryesor i kësaj ekspozite.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu i Zonës Shkodër, imam Muhamed Sytari, i cili pasi falënderoi kontributin e AIITC në mbledhjen dhe përgatitjen e kësaj ekspozite të vlefshme, tha se prej kohësh shkencëtarët perëndimorë po udhëzohen në Islam nëpërmjet studimit të këtyre mrekullive kuranore. Ai përmendi studiuesin Kris Morrison, i cili në një prej librave të tij të titulluar: “Allahu shfaqet në kohën e shkencës”, flet pikërisht për fenomenin e udhëzimit në Islam të një morie dijetarësh, specialistë të fushave të ndryshme të shkencës.

Më pas për të pranishmit u shpërndanë disa nga botimet e AIITC, si dhe u shtrua një darkë iftari.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2