wrapper

Në ditët e fundit të vitit 2016, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) nxori në qarkullim numrin e 17-të të revistës shkencore - kulturore "Univers". Revista, e cila ka dalë për herë të parë në vitin 2001, boton punime nga fusha e studimeve albanologjike dhe nga disiplina të ndryshme shkencore, të autorëve vendas dhe të huaj, me fokus të veçantë punime që trajtojnë aspekte të ndryshme nga kultura, shkenca dhe mendimi islam.

Ky numër i revistës “Univers”, sikurse edhe numrat e mëparshëm, karakterizohet nga larmia e temave të lëvruara dhe të cilat sillen rreth dy boshteve qendrore: studimeve albanologjike dhe studimeve mbi mendimin dhe qytetërimin islam.

Do të gjeni veçanërisht tematika të trajtuara në disa drejtime, si:

- Studime letrare dhe gjuhësore, si: rileximi i divanit të Nezim Beratit, përjetësimi i disa orientalizmave në Fjalorin e Tahir Dizdarit etj;
- Analiza mbi çështje të ndryshme të kulturës, të mendimit si: analiza e modernizmit dhe sfidave të diskursit fetar, pasqyrimi i Islamit në medien shqiptare, nevoja për reformim të mendimit islam;
- Portrete të personaliteteve të ndryshme nga vendi e bota, si: kleriku atdhetar H. Abdullah Zëmblaku, aktivisti i shquar i arsimit shqip Abdylazis Veseli, albanologu suedez Ullmar Kvik, shkencëtari i madh i Mesjetës El-Biruni;
- Analiza ngjarjesh historike, si: ballafaqimet e armatosura mes formacioneve të ndryshme luftarake në Kosovës gjatë L2B dhe arsyet e kthimit të shpejtë të refugjatëve kosovarë në trojet e tyre pas luftës së vitit 1999;
- Studime etnografike, si: historia e festivaleve folklorike shqiptare, trashëgimia kulturore dhe fetare e krahinës së Kalasë së Dodës etj;
- Punime pedagogjike, si: rëndësia e procesit të të lexuarit në mësimnxënie, mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët në diasporë, metodat bashkëkohore të mësimit të gjuhë-letërsisë në shkollat fillore të Prishtinës etj;
- Përmbledhje dhe përshkrime, si: bibliotekat fetare islame të Shkodrës, publikimet arkivistike në Kosovë gjatë 50 vjetëve, shtetet anëtare të OBI etj.
Autorët që kanë shkruar në këtë numër janë kryesisht profesorë, akademikë të afirmuar, si historianët Muharrem Dezhgiu e Nevila Nika, gjuhëtarët Rrahim Ombashi e Feti Mehdiu, studiuesit e kulturës islame Metin Izeti e Adnan Ismaili, etnokoreogafi Ramazan Bogdani. Dr. Ramiz Zekaj etj. Por ashtu si dhe më parë, revista mirëpret edhe punimet e studiuesve të rinj, prej të cilëve në këtë numër janë artikujt e Dr. Eduart Caka, Dr. Jolanda Lila, Msc. Artan Mehmeti etj.
Tashmë kjo revistë përmban dhe numrin e saj të regjistruar në Qendrën Ndërkombëtare të ISSN në Paris.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2