wrapper

 

Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, Departamenti i studentëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi seminarin me temë “Zëri i të rinjve, arsyet e pasivitetit dhe pesimizmit”.

Për të diskutuar mbi këtë çështje, ishte ftuar sociologu i mirënjohur Gëzim Tushi, i cili prej shumë vitesh vazhdon të kontribuojë në mësimdhënien ndaj brezave të rinj. Ai gjithashtu është autor i 14 librave dhe i mbi 1400 shkrimeve e opinioneve në median e shkruar dhe vizive.

Takimi u organizua në formën e një bashkëbisedimi me sociologun Tushi, i cili ishte i gatshëm t'i përgjigjej interesit dhe pyetjeve të studentëve të pranishëm.

Pas një prezantimi të shkurtër të objektivave që ka Departamenti i studentëve në AIITC nga përgjegjësja Znj. Afërdita Hyseni, fjala iu kalua sociologut Tushi i cili para një auditori, ku merrnin pjesë më shumë se 50 studentë e studente, mbajti ligjëratën e tij, duke u fokusuar në sfidat e “imperializmit kulturor”, “skllavërinë” që po përjeton rinia e sotme ndaj modernitetit, apo rreziku dhe prirja e tyre drejt indivdualitetit. Janë pikërisht këto fenomene që sipas tij e kanë rënduar së tepërmi rininë sot, duke i krijuar një zbrazëti shpirtërore, e për pasojë, rënien e tyre në pesimizëm.

Më pas studentët bashkëbiseduan me sociologun mbi disa probleme që i shqetësojnë ata çdo ditë si mungesa e objektivave dhe synimeve për të ardhmen, degradimi i aftësive komunikuese apo pasiguria që ata ndjejnë në familje dhe shoqëri.

Seminari u mbyll me disa porosi për alternativat që të rinjtë kanë dhe rrugët që duhen ndjekur për t'i kaluar sfidat dhe për të arritur suksesin e pritshëm.

Në fund organizatorët ftuan të pranishmit në një koktejl të përgatitur posaçërisht për studentët, ku ata shfrytëzuan rastin për të shkëmbyer mendimet e tyre mbi temën e trajtuar në këtë seminar.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2