wrapper

Tiranë, 13.11.2017

Pas një punë përgatitore disa mujore, redaksia e revistës shkencore kulturore “Univers” u mblodh në ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, për të diskutuar mbi miratimin e lëndës që do të përmbajë numri 18 i revistës. Redaksia mori në shqyrtim rreth 30 artikuj dhe punime shkencore të propozuara për botim, mes të cilave u përzgjodhën ato më cilësorët që do të jenë pjesë e numrit të ri të revistës.

Në takim morën pjesë drejtori i revistës prof. as. dr. Ramiz Zekaj, kryeredaktori prof. dr. Ramazan Bogdani, anëtarët prof. dr. Arian Kadiu dhe prof. dr. Nevila Nika. Të pranishëm ishin edhe stafi teknik i revistës, nëndrejtori i AIITC-së Alban Kodra dhe koordinatorja e revistës Anisa Hykaj. Ndërsa anëtarët e redaksisë prof. dr. Hamit Boriçi dhe prof. dr. Muharrem Dezhgiu, në pamundësi për të marrë pjesë, dërguan me shkrim recensat e tyre mbi artikujt. Në fillim të mbledhjes, redaksia nderoi kontributin e një prej anëtarëve themelues të revistës “Univers”, prof. dr. Musa Krajës, i cili u nda nga jeta para disa muajsh.

Temat e lëvruara në këtë numër ndahen në disa drejtime:

1. Studime historike: “Ekonomia rajonale e trojeve shqiptare në shek. XVI-XVIII, mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane” nga dr. Ardian Muhaj; “Spastrimi etnik dhe fetar i shqiptarëve 1878-1999, Kosova në veçanti” nga msc. Astrit Hykaj; “Përballja e dy mbretërve të fuqishëm, Bardhylit të Ilirisë dhe Filipit të II të Maqedonisë” nga Tolin Kona; “Myderiz Haki ef. Taip Sermaxhaj, besnik i kauzës kombëtare (1914-1948)” nga Islam Osmani; “Institucionet edukativo-arsimore islame në trojet e Maqedonisë së sotme gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII” nga prof. dr. Naser Ramadani etj.
2. Studime letrare dhe gjuhësore, si: “Raportet shqipe standarde - dialekt te nxënësit e disa shkollave të mesme të Prishtinës” nga Lumturije Nuredini; “Lirika dhe semantika (misioni i poezisë shqipe)” nga Fitim Veliu; “Problematika të përfshirjes gjinore në përkthimet shqip të teksteve hyjnore” nga Besa Ismaili; “Kasîde-i Burde në gjuhën shqipe” nga dr. Sadik Mehmeti; “Përdorimi dhe funksionet e paskajores” nga Melihate Zeqiri etj.
3. Studime teologjike, si: “Përgjegjësia nga perspektiva e teksteve hyjnore” nga prof. dr. Fahredin Ebibi; “Koncepti i estetikës në mendimin islam” nga Ferid Ensari, “Njerizimi i Shpalljes Hyjnore - studim kritik” nga Bahri Curri” etj.
4. Recensa botimesh, si: “Vdekje dhe dëbim i J. Mc Carthy - Një këndvështrim i ri i historisë për ta kuptuar atë” nga prof. dr. Muharrem Dezhgiu; “Gjahtarët e nuselalës i shkrimtarit Hysen Kobellari - Novelë me vlerë e përftuar mbi modelin e përrallës gojore” nga Anton Nikë Berisha, etj.

Si gjithnjë revista ka synuar që në aspektin e përzgjedhjes së autorëve, të ndërthurë akademikë të afirmuar e me përvojë, me studiues të rinj, të cilëve u jepet mundësia të lëvrojnë në këtë fushë.
Përveç diskutimit të artikujve, në mbledhje u trajtuan edhe një varg çështjesh që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e revistës dhe me strategjitë që duhen ndjekur, për ta promovuar atë tek shqiptarët jashtë Shqipërisë dhe për të zgjeruar rrethin e bashkëpunëtorëve të saj.

Kryeredaktori i revistës, prof. dr. Ramazan Bogdani informoi mbi zgjerimin e redaksisë me një anëtar të ri, prof. dr. Seit Mansaku, një nga gjuhëtarët më në zë në ditët e sotme, i cili nuk pati mundësi të ishte i pranishëm në këtë mbledhje. Gjithashtu u diskutua edhe mbi mundësinë për t′u bërë pjesë e bordit këshillimor edhe emra të rinj gjuhëtarësh e studiuesish të shquar nga trevat shqipfolëse.

Takimi u mbyll me rekomandimet e fundit të redaksisë, që do të merren parasysh në punën përgatitore për realizimin e numrit pasardhës të revistës “Univers”.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2