wrapper

Tiranë, 05.04.2018

Një nga objektivat e kryesorë të revistës shkencore – kulturore “Univers” është zgjerimi i bashkëpunëtorëve të saj edhe përtej hapësirës së trevave shqipfolëse. Për këtë qëllim, nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra dhe koordinatorja e revistës, Anisa Hykaj zhvilluan një takim me ish-Myftiun e Bosnjës, Dr. Mustafa Cerić.

Dr. Mustafa Cerić është diplomuar për shkencat islame në Universitetin Al-Azhar në Kajro, Egjipt dhe ka doktoruar në studimet islame në Universitetin e Çikagos. Ka shërbyer në pozitën e Imamit në Qendrën Kulturore Islame të Çikagos (ICC) në Northbrook, Illinois për disa vite. Ka udhëhequr Komunitetin Musliman të Bosnjës dhe Hercegovinës që nga viti 1993 dhe u bë zyrtarisht Myftiu i Madh i Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1999.

Në vitin 2011, Dr. Cerić ishte një nga themeluesit e Akademisë Boshnjake të Shkencave dhe Arteve; ndërsa në dhjetor të vitit 2012, u bë një nga themeluesit e Kongresit Botëror të Boshnjakëve dhe aktualisht është President i këtij Kongresi. Njihet si një nga figurat e mendimit islam bashkëkohor në Ballkan dhe Europë, si dhe një nga personalitetet e angazhuar botërisht për dialogun mes qytetërimeve, veprimtari për të cilën ka marrë çmime të ndryshme ndërkombëtare.

Duke qenë i njohur me Institutin që në vitin 2005, kur edhe e vizitoi atë për herë të parë, Dr. Cerić e pranoi me kënaqësi ftesën për të qenë bashkëpunëtor i revistës “Univers”. Kontributi i tij i parë do të jetë një ese filozofike mbi kritikën e fetarisë së kulluar.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2