wrapper

Sarajevë, 26.06.2018

Përmirësimi i teksteve mësimore të edukimit islam është një nga objektivat kryesorë të institucioneve që kujdesen për veprimtarinë akademike e arsimore islame në vendet e Europës Juglindore. Në këtë kontekst, filloi sot punimet trajnimi ndërkombëtar me temë: “Tekstet mësimore për shkollat fetare në Europën Juglindore”. Ky seminar dy ditor organizohet nga Qendra për Studime të Avancuara në Sarajevë, në bashkëpunim me AIITC dhe Bashkësinë Islame të Bosnje Hercegovinës. Ai ka mbledhur në tryezën e rrumbullakët studiues, pedagogë dhe punonjës edukimi nga disa shtete ballkanike, si Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Kosova etj. Trajnimi drejtohet nga specialistë të institutit prestigjioz gjerman “Georg Eskart” për hartimin e kurrikulave dhe teksteve mësimore.

Në seancat e para të këtij seminari specialistët prezantuan standardet e ndërtimit të teksteve mësimore fetare, kriteret e vlerësimit të tyre dhe vijat e përgjithshme të hartimit të një libri që të shërbejë si tekst mësimor. Më pas vijuan diskutimet dhe debatet për gjendjen e teksteve mësimore të lëndëve fetare në medreset islame në vendet përkatëse dhe punën që bëhet për përmirësimin dhe ecjen e tyre me hapin e kohës. Pjesëmarrësit paraqitën përvojat e tyre, të cilat pasuruan diskutimet dhe konkretizuan në shumë raste materialin e sjellë për prezantim shkencor.

Dita e parë përfundoi me shqyrtimin e kushteve dhe infrastukturës së nevojshme pedagogjike dhe financiare për hartimin e teksteve të reja në përputhje me objektivat e përgjithshme të edukimit në kontekstin europian dhe me nevojat specifike të edukimit fetar islam në vendet përkatëse. Në ditën e dytë të tij do të analizohen raste studimi konkrete tekstesh, ku pjesemarrësit do të marrin instruksionet e duhura për të nisur përgatitjen e tyre në drejtim të hartimit të teksteve didaktike të lëndëve fetare.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2